Daut Haradinaj në një rrëfim në emisionin N’Konak që është prodhim i gazetës inFokus tregon për kohën kur u shfaq për herë të parë publikisht UÇK-ja.
Ai tregon se ishte një ndër tre personat të cilët dolën publikisht për të treguar misionin dhe për të lexuar deklaratën e UÇK-së.
Haradinaj rrëfen se si në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga ushtarët serb, ishin ngjitur në tribune e publikisht para turmës kishin treguar se kush ishte UÇK-ja dhe çfarë misioni kishte.
“Si rezultat i diskutimeve të brendshme ka ardh përfundimi që UÇK-ja të jetë prezent në ceremoninë e varrimit ajo prezent gjithsesi por do të jetë edhe në shpalosjen publike te platformës të UÇK-së. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë se kishin dalë fjalë, jo dorë e zgjatur e Serbisë dhe jo janë shqiptarë jo s’janë shqiptarë dhe si përfundim u vendos që me dal publikisht tre pjesëtarë të UÇK-së me lexu një deklaratë publike dhe në një farë forme me i bë apel popullit të Kosovës me ju bashku luftës” tregon Haradinaj.
Ai poashtu tregon se si pas deklaratave të tyre për UÇK-në personat që ishin duke marrë pjesë në varrim pothuajse harruan që kishte një kufomë mes tyre dhe tregon për entuziazmin dhe reagimin që ata kishin.
“Nuk e kemi ditë se cili do të jetë reagimi i masës ka qenë arkivoli i mësuesit dhe kanë qenë duke mbajt fjalime akterë politikë të asaj kohe emrat e të cilëve nuk i mbaj mend. Dhe normal kur kemi zbrit prej makinës kanë filllu me na shiku me një dozë rezerve. Pak para se me zbrit nga makina Rexha me ka thanë ngjite maskën thashë nuk e kam marrë se skom. Më tha e qysh me ja bë tash. Thashë vazhdojmë qeshtu qysh jemi. E kështu domethënë, për nja 30 sekonda ose një minutë ka qenë qetësi sikur me ndal rrymën prej shtekut. Mas këtij minuti kanë fillu u qu masa ne këmbë dhe kanë fillu me bërtit UÇK”, rrëfen ai.







