Kur do të shpallet vendimi për skandalin e profesorit Ardian Kastrati?

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë javës së kaluar ka dërguar në Këshillin e Etikës, profesorin, Ardian Kastratin, për gjuhën bullizuese të përdorur në postimin e tij në Facebook ditën e zgjedhjës së Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.

UP-ja kishte njoftuar se distancohet nga deklarata individuale e profesor Kastratit derisa ka dënuar fuqishëm gjuhën denigruese të përdorur.

Por se kur do të merret një vendim lidhur me profesorin e Fakultetit Filozofik, Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe me Rektoratin, por që të njëjtit nuk u përgjigjën.

Derisa, sipas drejtorit të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, Këshilli i Etikës ka ende kohë për të ardhur deri tek vendimi.

“Sipas procedurave ka disa momente që duhen me shku gjatë procesit kur dëgjohen palët, kështu që Këshilli i Etikes ka mjaftë kohë në dispozicion, është ende herët që të merret një vendim”, u shpreh Gjinovci.

Kujtojmë se deklarata e Kastratit bëri shumë bujë, dhe nxiti reagime të shumta ndaj tij.