Kur do të procedohet Ligji i Pagave në Qeveri, tregon Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Ligji për Paga do të procedohet për miratim në Qeveri në muajin mars.

Këtë gjë Sveçla e ka konfirmuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se ministrisë po i merr kohë analizimi i ligjit.

“Nga raportimi i fundit që kemi pasur në dhjetor, jo më shumë se një muaj, janë zhvilluar takime të shpeshta për finalizim. Janë diskutuar koeficientet për secilën pozitë – në bazë parimore, të drejtë e mosdiskriminuese. Lista duhet të jetë parimore e të reflektojë barazi. Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, janë eliminuar pjesët ku është vlerësuar se janë tejkaluar kompetencat e Qeverisë”, ka thënë ai duke shtuar se me ligjin që planifikohet të miratohet “do të ketë sistem të mirëfilltë, afatgjate, të zbatueshme e funksionale të pagave dhe shpërblimeve”.

Sveçla ka thënë se MPB-ja po punon me Ministrinë e Financave për të caktuar koeficientin për të pasur barazi në sektorin publik.