Kur Çeku i VV’së pyeste: Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të shkarkohet Armend Zemaj

Përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje e zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, përfshirë dy zëvendëskryeministrat, Donika Gërvalla e Besnik Bislimi, janë vënë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi ndaj këtij të fundit kanë shpërthyer pakënaqësi të mëdha lidhur me menaxhimin e pandemisë, meqë Kosova ka pasur rritje enorme të rasteve të reja të infektimeve dhe se vetëm brenda 5 dite kanë vdekur mbi 50 persona.

Madje ministrja Donika Gërvalla ishte pozicionuar në mbrojtje të Vitisë në ditën kur Kosova kishte shënuar 18 vdekje nga COVID dhe mbi 2 mijë rasteve të reja. Kjo si kundërpërgjigje për bashkëpartiakun e saj, Burim Karameta, i cili ia kërkoi dorëheqjen Arben Vitisë.

“Z. Ministër, merru me Prishtinën, është shumë të qëndrosh deri në tetor aty!”, kishte shkruar Karameta.

Por çfarë kishin thënë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kur në Kosovë kishte pasur numër të lartë të vdekjeve nga COVID-19 dhe kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Armenda Zemaj.

Hajrullah Çeku i cili tashmë mban pozitën e ministrit të Kulturës, më 7 korrik të vitit 2020 e kishte pyetur se sa njerëz duhet të vdesin që të shkarkohet Armend Zemaj.

“Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të shkarkohet Armend Zemaj? Dorëheqje nuk mund të presim prej tij, sepse dorëheqja është akt moral”, kishte shkruar Çeku.

Vetëm në 24 orët e fundit Kosova ka shënuar 16 vdekje dhe mbi 2 mijë raste të reja të infektimeve me COVID-19.

Kosova si shtet ndërkohë është futur në listën e zezë të shumë shteteve pas përhapjes masive të variantit Delta. Qeveria do të ashpërsoj masat për të parandaluar rritjen e mëtejme derisa vaksnimi po ecë ngadalë.