Kur bashkëpunëtorët e Kurtit gëzoheshin se ai s’kishte “dosje kriminale në UÇK” dhe se Thaçi do të akuzohej

Ish-kryeministri, Albin Kurti, sot doli në konferencë për media për t’u dalë në mbrojtje publikisht ish-krerëve të UÇK-së, dy prej tyre kundërshtarë shumëvjeçarë të tij në politikë.

Por, vetëm pak muaj më parë, nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha Kollçaku e kishte lavdëruar Kurtin se “nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”. Ndërsa zëvendësi i Kurtit në qeverinë e kaluar, Haki Abazi, po ashtu para pak kohësh i gëxohej shkuarjes së ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë. Këtë madje e priste qysh në korrik, kur shkroi se “pas të hënës Vjosa është e mundur të jetë edhe Presidentja e Kosovës”, ndërsa parashikonte po ashtu rikthimin e Kurtit në Qeveri.

Kollçaku ishte kritikuar ashpër për citimin e fjalëve të një analisti serb, i cili e lavdëronte Kurtin që “s’kishte dosje kriminale nga UÇK-ja”.

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, intelegjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data.
Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, ka thënë analisti politik nga Beogradi.
Në fakt të “kërcënuar” mund të ndihen vetëm ata që flasin dhe sundojnë me veprimet dhe gjuhën e urrejtjes”, kishte shkruar Kollçaku në shkurt.

Ndërsa Haki Abazi, parashikonte ditë të mira për vendin, meqenëse ish-presidenti Thaçi do të gjykohej për krime lufte.

“Halli i Xhavit Ukaj është që pas të hënës Vjosa është e mundur të jetë edhe Presidentja e Kosovës! Kjo e bën shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të pamundur dhe rrjedhimisht zgjedhjet të pakalueshme e shumë të shpejta. Nuk ka nevojë për komplikim, ditë të mira po vijnë dhe bashkë me to edhe qeveria Kurti!”, ka thënë Abazi që aktualisht ka mbetur pa asnjë pozitë”, shkruante Abazi.

Edhe vetë Kurti, që sot i mbrojti ish-krerët e UÇK-së, më herët i kishte kërkuar Thaçit që vetë të shkonte në Hagë dhe të përgjigjej për akuzat e rënda.