Kur babai i Dritan Abazoviqit nderonte “luftëtarët serbë” në Gazimestan (FOTO)

Politikani shqiptar që arriti të bëhet kryeministër i Malit të Zi, Dritan Abazoviq vazhdon të jetë temë në mediat vendore dhe rajonale.

Ulqinaku 38 vjeçar u bë faktor i rëndësishëm në formimin e qeverisë së pakicës, pasi që shefi i kaluar i ekzekutivit, Krivokapiq, u pa si linjë proserbe dhe proruse në Mal të Zi.

Shqiptarët pak kishin dërgjuar për Abazoviqin deri në momentin kur u bë determinues në formimin e qeverisë së kaluar, pasi që me inciativën e tij qytetare URA i fitoi katër ulëse në Kuvendin malazez.

Ende dihet pak për jetën private të Dritanit, studentit të Sarajevës, vëllai dhe motra e të cilit thuhet se janë mjek të shquar në Beograd.

Ndërkohë, pak muaj më parë, Abazoviq publikoi një video të babait të tij duke kënduar në një zijafet në një lokal të Ulqinit. Fjala është për 4 marsin e vitit 1989, pra fundit të epokës së Jugosllavisë.

“Bohemistët ulqinakë dhe babai im Big Joe”, shkroi Dritan, duke shtuar: “Një kujtim i bukur i disa kohërave të arta”.

Ndërkohë, babai tij e të tjerët aty ja marrin disa këngëve, të gjitha puro shqiptare, më saktë shkodrane.

Mirëpo, Xho Abazoviq, babai i Dritanit, e ka edhe një anë tjetër.

Një fotografi të siguruar nga Ballkani.info, Xho Abazoviq bashkë me dy persona tjerë, shihet në Gazimestan të Kosovës, në atë që njihet si “Beteja e Kosovës” dhe të cilën serbët e kanë përvetësuar si histori të tyren.

Në çdo 28 qershor, në këtë vend mblidhen pelegrinët serbë për ta kujtuar betejën e humbur nga osmanët në vitin 1389.

Në fotografinë të Xho Abazoviqit dhe miqve të tij, e që duket që është bërë para shumë viteve, është edhe një mbishkrim në gjuhën serbe. “Luftëtarëve serbë”, shkruan te këmbët e Abazoviqit, babait të kryeministrit të Malit të Zi. /Ballkani.info/