Kupa e Italisë: Atalanta eliminon Fiorentinan, Gjimshiti arrin Strakoshën në finale

Vazhdon sezoni i jashtëzakonshëm i Atalanta-s.

Skuadra e Gasperini-t, që mban vendin e pestë në kampionat me pikë të barabarta me Milan-in e vendit të katërt, ka mundur 2-1 Fiorentina-n me përmbysje në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë dhe ka siguruar kualifikimin në finale me rezultatin e përgjithshëm 5-4. 90 minuta për Gjimshitin, ndërsa Berisha nuk i ndahet stolit.

Ka qenë Fiorentina që ka zhbllokuar ndeshjen pas 3 minutash me Muriel, i cili ka shënuar në të tri ndeshjet e luajtura kundër Atalanta-s në këtë sezon.

Vendasit janë kundërpërgjigjur në minutën e 14-të, duke barazuar me Ilicic, që është treguar i saktë nga pika e bardhë. Goli që ka vendosur takimin ka ardhur në minutën e 69-të dhe është shënuar nga Gomez, gjuajtja e të cilit është devijuar në portë në mënyrë të pashpjegueshme nga ana e portierit Lafont.

Atalanta do të përballet me Lazio-n në finalen që do të luhet 15 majin e ardhshëm në Romë dhe që do të vërë përballë njëri-tjetrit Berat Gjimshitin dhe Thomas Strakoshën.

Sido që të shkojë, do të jetë një sukses… kuqezi.