Kundërshtohet vendimi për mbylljen e sheshit në Lipjan pas orës 18

Komuna e Lipjanit ka marrë vendim që pas orës 18:00 të ndalohet qarkullimi i qytetarëve në sheshin “Adem Jashari” dhe në parqe publike shkaku i përhapjes së pandemisë. Mirëpo, ky vendim ka nxitur reagimet e bizneseve që operojnë në shesh dhe të opozitës.

Përmes një komunikate Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se me këtë vendim kryetari Imri Ahmeti është treguar i padijshëm dhe injorant ndaj bizneseve dhe po ashtu menjëherë ka filluar zvogëlimi i numrit të të punësuarve në këto biznese.

“Ne si PDK, gjatë ditës kemi pranuar shumë ankesa dhe shqetësime nga këto biznese, mirëpo shumë prej tyre nuk e kanë guximin që ta ngritin zërin sepse menjëherë inspektorati i hakmerret me ndëshkime të ndryshme. Komuna e Lipjanit është komuna më e varfër në nivel të Kosovës, andaj mbyllja e sheshit dëmton jashtëzakonisht shumë sektorin e bizneseve”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas kësaj partie, komuna është dashur të mobilizohet në mënyrë që qytetarët t’i respektojnë masat mbrojtëse kundër virusit Covid-19 pasi që sipas tyre ka shumë raste që të infektuarit me Covid-19 po dalin nëpër qytet.

“Komuna asnjëherë nuk po ua ofron asnjë shërbim të infektuarve me Covid-19 andaj ata po shihen nëpër qytet. Komuna e Lipjanit po ashtu në kohë të pandemisë është dashur të fokusohet më shumë për të krijuar kushte në sektorin e shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit derisa stafi mjekësor nuk kanë as mjete pune. Po ashtu komuna e Lipjanit është dashur të krijojë ekipe mobile për t’i vizituar të infektuarit me Covid-19 sepse shumica prej tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore”, thuhet në fund të komunikatës.

Në anën tjetër edhe përfaqësues të bizneseve kanë shprehur shqetësime për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve në sheshin “Adem Jashari”.