Diskutim

Kundërshtohet nisma për importin e veturave më të vjetra se 10 vjet

Në tryezën e diskutimit rreth nismës ligjore lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete, iniciuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, përfaqësues të Odës Ekonomike Amerikane dhe ekspertë të komunikacionit ishin kundër heqjes se kritereve për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, kjo për arsye siç u shprehen ata të ruajtjes së mjedisit në vend.

Deputeti Mërgim Lushtaku gjatë arsyetimit të kësaj nisme ligjore, ka theksuar se në asnjë vend të Evropës nuk ka kufizim të importit të veturave me dhjetë vjet. Ai ka deklaruar se në vendet evropiane ka vetëm standard të euro diesel 4, dhe shtoi se janë edhe për ruajtjen e ambientit në Kosovë.

Gjatë këtij diskutimi Lushtaku ka thënë se përmes ndryshimi të këtij ligji lehtësohet jeta e qytetarëve.

“Në Evropë në bazë të hulumtimeve që kemi pasur edhe me ekspert të ndryshëm nuk qëndron asnjë herë ndalesa me vjet, por ndalesa është vetëm me euro diesel 4. Prandaj, edhe ky kufizim ka qenë një dënim për qytetarët, sepse derisa veturat vijnë sidomos nga Gjermania dhe Zvicra, ato sigurisht se duhet t’i plotësojnë kriteret, standardet që i ka edhe Evropa dhe sigurisht që ato standarde i synojmë edhe ne. Te pjesa e vjetërsisë së veturave në Kosovë sigurisht që është e vjetër dhe besoj që kjo do t’i kishte mundësuar qytetarëve që nëse e ka një veturë 2005, ta blen një veturë të vitit 2007-2008 për shkak të standardit ekonomik, por gjithmonë duke ruajtur ambientin, sepse edhe fokusi im si deputet nuk është vetëm të kursehet xhepi i qytetarëve, por në të njëjtën kohë të kemi një ambient ku edhe ne i rrisim familjet tona në Kosovë”, ka theksuar Lushtaku.

Nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Vesa Sahatçiu, ka deklaruar se qëndrimi i tyre mbetet që nuk mund të importohen vetura më te vjetra se dhjetë vjet, për shkak siç ka thënë ajo të ruajtjes së ambientit.

“Nuk duhen të importohen këto vetura për shkak se vendi i Kosovës përballet me nivelet shumë të larta të ndotëjes. Kështu që duhet me menduar më shumë për mjedisin” , ka thënë Sahatçiu.

Edhe përfaqësues nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare patën qëndrim të njëjtë më atë të Odës Amerikane.

Kurse, eksperti Muhamet Krasniqi, ka thënë vendi i ynë duhet të orientohet drejt politikave të qarta dhe lehtësirave për importin e automjeteve të reja dhe jo për inkurajimin e qytetarëve për me i poseduar ose me i marrë automjetet më të vjetra se 10 vjet.

Megjithatë për Shoqatën e Kontrollimeve Teknike ne Kosovës ligji aktual nuk paraqet kurrfarë problemi, por sipas tyre problemi për ta është diku tjetër.

Rrustem Nika nga kjo shoqatë theksoi se heqja e kufizimit të vjetërsisë së automjeteve nuk paraqet problem, por shtoi se sfiduese mbeten derivatet.

BONUS VIDEO| Kurti: Synimi ynë për barazi dhe drejtësi s’ka alternativë, jemi shtet demokratik e feminist