Kundërshtimet brenda partisë, deputeti bojkoton zgjedhjet në LVV

Dikur një nga aktivistët më të çmuar të partisë, të dielën Eman Rrahmani nuk votoi në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ish-asamblisti, një nga figurat më të fuqishme politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka thënë sot për Paparacin se nuk arriti të votonte në zgjedhjet e brendshme të mbajtura të dielën për arsye personale.

“Nuk kam qenë në Prishtinë”, tha ai në një përgjigje të shkurtër përmes telefonit për Paparacin.

Rrahmani, i cili të enjten mbështeti publikisht të drejtat e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit për grevë, tha se mospjesëmarrja e tij në procesin e zgjedhjeve të brendshme nuk ndërlidhet me kundërshtimet e tij me Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Që nga muaji mars, është raportuar për një përçarje brenda Grupit Parlamentar të LVV-së mes grupit të deputetëve që kundërshtuar Projekt-Kodin Civil dhe udhëheqësisë së partisë. Megjithatë, Rrahmani thotë se as kjo nuk është arsye pse ai nuk mori pjesë në votimet e së dielës.

“Nuk kam marrë pjesë në votim dhe kjo nuk ndërlidhet me atë që po thoni ju [projekt-kodin civil]”, ka thënë Rrahmani.

Në një paraqitje televizive të enjten e javës së shkuar, Rrahmani është deklaruar kundër linjës së mazhorancës, pjesë e së cilës është, lidhur me grevën në arsim.

Ai është shprehur se një pjesë të fajit për grevën që po vazhdon në arsim e ka ekzekutivi i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Deputeti nga Prishtina ka vlerësuar se SBASHK-u është organizatë legjitime, me udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike nga anëtarësia. Një vlerësim ky krejt i kundërt me atë të kryeministrit Albin Kurti, i cili i ka theksuar disa herë pretendimet e tij se greva dhe SBASHK-u janë kthyer “në një armë kundër tij”.

Të dielën, kandidati i vetëm për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti fitoi edhe një mandat në krye të partisë. Ai mori mbi 98 për qind të votave.