Kundërkandidati i Osmanit për president: I kërkova takim por është shumë e zënë

Kundërkandidati i Vjosa Osmanit për president, Nasuf Bejta ka thënë se përgatitja e kandidatëve që për momentin po i prezantojnë institucionet është e mirë. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë shansi i fundit për ta provuar.

“Mendoj se përgatitja e këtyre kandidatëve që për momentin i prezantojnë institucionet tona është e mirë, kanë bagazh, integritet, ja në të fjalës, rininë fuqinë e kanë pas vetit, e pastaj kanë qenë edhe shansi i fundit për tu provuar“, ka thënë ai në emisionin “Frontal”, në T7.

Bejta rrëfeu edhe për bashkimin me Listën “Guxo”, të Vjosa Osmanit.

“Unë si aktivist i LDK-së më herët deri në 2007 kam mbetur në miqësi me z.Faton Peci. Në zgjedhjet e kaluara unë nuk isha kandidat por Fatoni ishte. Atë e kisha si simpati për qëndrimet dhe burrërinë. Kur ndodhi ajo çka ndodhi në LDK, kur erdhi kjo fryma e re, më telefoni dhe më dha një ofertë. Mendova se jam një burrë t’i ofrojë ndihmë një gruaje burrërore. Mendoj që ka qenë morale që të mbështet Vjosa në frymën e Rugovës”, deklaroi Bejta.

Për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Bejta tha se nuk ka asnjë forcë që mund të mohohej rezultati.

“S’ka forcë që mund ta mohojë rezultatin. Po të kisha qenë deputet i një partie tjetër, familja ime sot nuk do të më kishte votuar, sepse fryma ka qenë e tillë. Është keq për rata që mendojnë se fëmija duhet të mendojë si prindi dhe të votojë si prindi. Vota është e lirë, e fshehtë dhe e shenjët”, ka deklaruar ai.

Bejta që në zgjedhjet e fundit nuk arriti që të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës tha se është në pritje se në rast që të ketë lëvizje të bëhet pjesë e Kuvendit.

“Të them të drejtën detyra më e vështirë në jetën time ka qenë kërkimi i votave. Në çdo tubim elektoral mu ka dukur shumë e ulët që të lavdërohem dhe të kërkojë vota. I kam 5764 vota. Në radhën e pritjes së deputetëve. Nëse ka lëvizje në zgjedhje lokale ish kjo mundësi. Presim dhe të shohim”, tha më tutje ai.

Anëtari i listës “Guxo” u deklarua edhe për vendimin që mori, që pikërisht ai të jetë kundërkandiat për president i Vjosa Osmanit.

“Mbrëmje mendova vet me veti që mund të ndodh ajo. E pyeta veten a thue a bëj diçka mirë nëse më jepet mundësia që të jem kandidati i tretë ose i katërt për president. I thash Fatonit se jam njeriu i sfidave. Tu mëndu situatën ekonomike, pandeminë, gjendjen e përgjithshme i shtrova vetes pyetje a e kemi ne këtë komoditet që të shkojmë sërish në zgjedhje. Thash që sa për këtë kriter nuk kem me shku. E thirra Fatonin. Mi mblodhën 30 nënshkrime dhe shumë sinqerisht po e them se sot jam njeriu më i relaksuar, më i gëzuar dhe shumë krenar që i bëra një nder Kosovës”, ka deklaruar Bejta në “Frontal”.

Bejta u deklarua edhe për mospjesëmarrjen në ceremoninë e inagurimit të presidentit. Ai tha se i ka kërkuar takim Osmanit, por që tani është e zënë.

“Kam kërkuar që të shkojë në mënyrë solemne të ja urojë postin, por tani është shumë e zënë. Kam mendu me shku edhe në inaugurim por se kam dit që mundem”, ka thënë ai.