Kultura e lashtë e lulevjeshtës në qytetin Kaifeng, madhështore

Qyteti Kaifeng në provincën Henan të Kinës Qendrore është ndërtuar para 4 100 vjetësh dhe është një nga pesë kryeqytetet e lashta kryesore të Kinës. Në historinë kineze, tetë dinasti radhas e kanë caktuar Kaifeng-un si kryeqytet. Gjatë dinastisë Song Veriore (960-1127), Kaifeng-u, që quhej Dongjing në atë kohë, ishte qyteti më i madh në botë.

Lulevjeshta, apo krizantema siç njihet me një emër tjetër, është lulja simbol e qytetit Kaifeng, sepse kultura e saj ka një histori të lashtë në këtë qytet.

Në dinastinë Song Veriore, dijetari Liu Meng shkroi në Kaifeng enciklopedinë e parë të lulevjeshtave në Kinë dhe festivali i lulevjeshtave me rastin e Festës së Dy Nëntave, që u zhvillua në kryeqytetin Kaifeng, është festivali i lulevjeshtave më i hershëm në Kinë.

 

Historia e mbjelljes së lulevjeshtave në Kinë është më shumë se 3000 vjet. Në fillim kinezët i mbillnin lulevjeshtat për t’i përdorur për barna e ushqim. Me përparimin e pandërprerë të teknologjisë së mbjelljes së tyre, lulevjeshtat e bukura u bënë një lule admirimi shumë e pëlqyer. Ndër dhjetë lulet më të njohura të Kinës, lulevjeshta zë vendin e tretë. Në kulturën kineze, lulevjeshta simbolizon fatmirësi e jetëgjatësi dhe në veprat letrare kineze mund ta hasësh atë kudo.

Vitet e fundit, Kaifeng-u ka marrë masa të ndryshme për të përhapur kulturën e lulevjeshtës të qytetit. Që nga viti 1983, Kaifeng-u ka organizuar festivalin e kulturës së lulevjeshtës për 35 vjet me radhë.

Bashkia e qytetit shpreh shpresën se ky festival do të kthehet në një takim madhështor kulturor ndërkombëtar.

 

 

Në qytezën Xinghuaying të qytetit Kaifang, Xiong Xiaoqiang-u është i zënë në dërgimin me postë të lulevjeshtave të mbjella nga ai. Xiong Xiaoqiang-u është një rritës i famshëm i lulevjeshtës në Kaifeng. Për shkak të teknologjisë së lartë të mbjelljes, lulevjeshtat e tij mirëpriten shumë nga klientët, të cilët, pa rezervim, e kanë të vështirë të blejnë lulevjeshtat e Xiong Xiaoqiang-ut. Njëkohësisht, një saksi lulevjeshte e tij shitet të paktën 300 juanë.

Krahas admirimit të lulevjeshtave, në Kaifeng ngrënia e ushqimeve të prodhuara me lulevjeshtë është një sektor në zhvillim të shpejtë. Në kopshtin e lulevjeshtave të kompanisë “Qianju” të qytetit Kaifeng, ka rreth 133 hektarë të mbjellë me lulevjeshta. Siç bëhet e ditur nga menaxherja e përgjithshme e kompanisë Yu Shunxia, vëllimi vjetor i prodhimit të lulevjeshtave i kompanisë është rreth 1500 tonë. Pas përpunimit, prej tyre prodhohen çaj, kekë, raki etj., me një vlerë prej 30 milionë juanësh.

Tani sipërfaqja e mbjellë me lulevjeshtë në Kaifeng është rritur në mbi 300 hektarë. Në këtë qytet prodhohen më se 8 milionë saksi me lulevjeshta në vit dhe produktet lidhur me lulevjeshtën kapin një vlerë prej 90 milionë juanësh. Duke folur për planin e ardhshëm, kopshtari Xiong Xiaoqiang shprehu shpresën se, së pari, mjeshtëria e tij e mbjelljes së lulevjeshtave do të trashëgohet në brezin e ri, sepse kjo është një kulturë e qytetit të lashtë, dhe, së dyti, se do të krijojë një kompani për të përhapur markën e vet të lulevjeshtave.

Edhe kompania “Qianju” planifikon të fuqizojë sektorin e lulevjeshtës. Kompania po zhvillon më tej kopshtin e lulevjeshtave. Tani në këtë kopsht ka një burim ujërash termale dhe, në të ardhmen, vizitorët mund të admirojnë lulevjeshtat, të shijojnë ushqime me lulevjeshta, të lahen në ujërat e ngrohta etj. dhe kopshti do të kthehet në një park ekologjik.

Kultura e lulevjeshtës ka nxitur zhvillimin e sektorit përkatës, i cili ka përhapur kulturën e lulevjeshtës. Si rezultat, Kaifeng-u po shfaq magjinë tërheqëse të një kryeqyteti të lashtë.