Njohësi i sigurisë llir Kulla është shprehur se Serbia kishte përgatitur një plan për kryengritje të armatosur në të gjithë Kosovë, e që do të niste nga manastiret ortodokse serbe. Sipas Kullës, gjithçka nisi kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës, por ajo që ndodhi ishte që qytetarët e veriut nuk i mbështetën terroristët.

“Plani i tyre ka qenë që ata të bëjnë një kryengritje të armatosur në gjithë Kosovën edhe brenda në Kosovë, Pejë, Deçan ku ka manastire [ortodokse serbe] dhe nëpërmjet destabilizimit të thoshin këtu ka dështuar gjithçka dhe duhet bërë gjithçka nga e para”, tha Kulla për EuroNews Albania.

“Kjo nisi që kur u larguar nga pushteti lokal dhe të gjitha postet, por ajo që ka ndodhur këtë herë është që  serbët e Kosovës nuk i kanë ndjekur, madje për herë të parë edhe kisha është distancuar publikisht përmes tri deklaratave”, u shpreh ai. Kulla ka treguar se si i ka futur Serbia këto armë të sofistikuara në pjesën veriore të Kosovës.

“Të kujtohet kur u morën peng policët në veri? Tani më lind e drejta të them që nuk i ka marrë peng xhandarmëria po këta banditë. Polici që u vra para tri ditësh nuk ka qenë polic special, ka qenë polic patrulle. Këta banditë prej muajsh dhe vitesh kanë bërë në veri atë që kanë dashur duke e llogaritur një territor që do ta shkëpusin nga Kosova”, ka potencuar Kulla.

Duke folur për kryekriminelin e veriut Milan Radoiçiq, ai ka thënë se ky ka një peshë të madhe për Qeverinë e Serbisë.

“Që Radoiçiq është i plagosur është fakt, por ai tani është bërë peshë e rëndë, fillon paranoja. Çështja është se nëse Radoiçiq flet, bie sistemi politik i Serbisë, di më shumë se ç’duhet. Është kthyer në një peshë të madhe për Qeverinë e Serbisë. Nëse vdes, çohet populli në këmbë”, ka përfunduar eksperti i sigurisë.

Kujtojmë se gjatë ditës së martë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe në oborrin e Manastirit të Banjskës, pas sulmit kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit më 24 shtator.

Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë.