Kukësi i heq titullin “Qytetar Nderi” Veton Surroit për shkak të “fushatës kundër UÇK-së”!

Publicistit dhe politikanit nga Kosova, Veton Surroi, i është hequr titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut Kukës në vitin 2015. Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e radhës të mbajtur të premten.

Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit,të cilët sipas Domit kanë paraqitur edhe argumentat përkatës.

Ndërsa, për kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Qarkut heqja e titullit është më së e arsyeshme për shkak të fushatës mediatike dhe politike që Veton Surroi po bën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”