Kukan: Nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për korrigjim të kufirit, ne do t’i mbështesim

Shefi i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Eduard Kukan, ka folur rreth ngjarjeve të fundit në Serbi dhe për çështjen e Kosovës.

“Për momentin, Unioni Europian nuk ka ndonjë pozicion të caktuar për zgjidhjen finale të çështjes së Kosovës”, tha Kukan për mediat serbe.

Rreth pyetjes së gazetarëve se çfarë është biseduar në takimin me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq , takim ky që u zhvillua të hënën në Beograd, Kukan tha se është biseduar rreth shumë çështjeve dhe jo vetem dialogut me Kosovën.

“Pasi prezantoj pikëpamjen e Parlamentit Evropian, unë kam theksuar se ne presim arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha Kukan, transmeton Ballkani.info.

Eduard Kukan u pyet edhe rreth idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Kukan tha se Bashkimi Evropian ende nuk ka detaje nëse kjo ide mund të realizohet.

“Ne do të ishim të kënaqur nëse do të arrihej marrëveshje mes dy palëve. Rreth idesë së demarkimit mes Kosovës dhe Serbisë ende nuk e dimë nëse kjo mund të realizohet, por nëse dy palët kanë vullnetin e duhur atëherë ne do t’i mbështesim. Të gjitha këto marrëveshje do duhet të jenë në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, shtoi Kukan. /Ballkani.info/