Kujtohen tre dëshmorët e shkollës shqipe në fshatin Uçë

Sot në fshatin Uçë të Istogut u përurua objekti i ri i shkollës “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe”.

Përurimi u bë për nder të 31-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve Hasan Hysenaj, Bajram Hoxhaj dhe Muharrem Hysenaj.

Tre dëshmorët i ka kujtuar edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati. Ai e ka quajtur këtë një ditë historike për arsimin shqip.

“Në 31 vjetorin e rënies së heronjve të Shkollës Shqipe, Hasan Hysenaj, Bajram Hoxhaj dhe Muharrem Hysenaj, nderuam me homazhe jetën dhe veprën e tyre. Po në këtë ditë të veçantë e historike për arsimin shqip, përuruam objektin e ri të shkollës në Uçë që mbanë me krenari emrin e madh “Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe” dhe bashkë festuam Ditën e Shkollës. Duke filluar nga sot, mësimi do mbahet në objektin e ri i cili është gati për të pritur 287 nxënësit e kësaj shkolle me kushte dhe ambiente moderne dhe të përshtatshme për mësim dhe aktivitete të tjera shkollore”, ka shkruar Ferati.

Vepra dhe kontributi i tyre në arsimin shqip u përkujtua edhe nga familjarët e tyre.

Vajza e dëshmorit Bajram Hoxhaj, Zyrafetja, nëpërmjet një statusi në Facebook ka thënë se mungesa e tyre ka qenë e madhe, por vepra e tyre dhe rënia duke e mbrojtur shkollën shqipe është e lavdishme.

“Me rastin e përvjetorit të rënies së tre dëshmorëve të shkollës shqipe (baballarëve tanë).Sa shumë na ka munguar këto vite pranija juaj atërore, por zemrat e thyera na i ngrohë vepra e lavdishme që latë pas, ku dhatë jetën duke mbrojtur shkollën shqipe nga armiku shekullor serbo-çetnik. Baba i dashur Bajram, ti e doje shumë jetën, familjen, shoqërinë e shkollën. Ne mbetëm të varfër pa ty, por u pasuruam me ardhjen në jetë të mbesave e nipave që u bën një gjeneratë e artë duke ndjekur rrugën akademike të profileve të ndryshme, e me të cilët do të ishe krenar!”, ka shkruar ajo.

Edhe veprimtari dhe biznesmeni i njohur Hektor Beqiri ka kujtuar tre dëshmorët e shkollës shqipe në Uçë të Istogut, në rastin e 31 vjetorit të rënies së tyre, babai i të cilët ishte mësimdhënës në shtëpinë/shkollë të Uçës.

“Me dhimbje të madhe, duke bashkëndjerë si familje, gjithnjë e kujtojmë 31 janarin e vitit 1992. Si çdo ditë tjetër asokohe, baba Elez së bashku me kolegët e tij mësimdhënës po vazhdonte të mbante fshehurazi orë mësimore në gjuhën shqipe në shtëpinë/shkollë të Uçës. Milicia serbe, pas keqtrajtimit të fëmijëve në rrugë, e kishte kuptuar këtë dhe më pas i kishte filluar maltretimet çnjerëzore. Në mbrojtje të fëmijëve, në mbrojtje të gjuhës dhe alfabetit, atë ditë në fushën e nderit ranë dëshmorë Bajram Hoxhaj, Muharrem Hysenaj dhe Hasan Hysenaj.”, ka shkruar ai.

Beqiri është shprehur se tani shkolla e fshatit Uçë mban emrat e tyre, të cilët janë përjetësuar me lapidarin në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve dhe sakrificën e këtyre tre burrave të fshatit Uçë.

“Lavdi dëshmorëve Bajram Hoxhaj, Muharrem Hysenaj dhe Hasan Hysenaj. Mirënjohje për mësimdhënësit e viteve 90-ta, të cilët udhëtonin këmbë me kilometra, rrezikonin jetët e tyre, duke punuar vullnetarisht që gjuha shqipe dhe atdhedashuria të brumosej tek të rinjtë tanë!”, ka shkruar Beqiri.

Tre dëshmorët e shkollës shqipe janë kujtuar edhe nga kryeministri Albin Kurti.

Kurti ka njoftuar se të martën e 31 janarit është përuruar objekti i shkollës së re në këtë fshat që edhe mbanë emrin “Tre dëshmorët e shkollës shqipe”.

Ai u shpreh se rënia e këtyre tre dëshmorëve ka ngritur rezistencën për hapjen e shkollave shqipe që i kishte mbyllur pushteti serb.

“Rënia e tre dëshmorëve në Uçë ngriti rezistencën për hapjen e shkollave shqipe, të mbyllura nga pushteti shovinist i Serbisë anembanë Kosovës. Varrimi i tyre qe zgjim kombëtar. U nderuan me një ceremoni ku nxënësit recituan poezi në shqip, u mbajtën fjalime e u ngrit flamuri kombëtar mbi minarën e xhamisë së fshatit Uçë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Tutje, Kurti ka treguar se si kanë rënë tre dëshmorët derisa ishin duke shkuar në shtëpi-shkollat e quajtura atë kohë ku mbahej mësimi.

“Në mëngjesin e 31 janarit të vitit 1992, teksa një grup nxënësish filloristë po shkonin në shtëpi-shkolla për të vijuar mësimet, gjatë rrugës kryesore të fshatit Uçë në Istog, ndalohen nga policia serbe. Ndaj nxënësve u ushtrua dhunë psikike përmes kërcënimeve e sharjeve. Pastaj policët serb maltretuan nxënësit edhe fizikisht. Me t’i dëgjuar britmat e nxënësve, në mbrojtje të tyre dalin banorët e shtëpive në afërsi. Pas rezistencës së tyre karshi policisë dhe kërkesës së tyre për t’i lënë nxënësit e lirë për të shkuar në shkollë, qëllohen për vdekje: Bajram Hoxhaj vdes në vend, Muharrem Hysenaj vdes rrugës për në spital e Hasan Hysenaj vdes pas disa ditësh. Të plagosur mbeten: Imer dhe Azllan Hysenaj. Gjatë ditëve në vijim, policia serbe burgosi e torturoi disa nga familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve”, ka shkruar kryeministri Kurti.