Prishtinë

“Kujtimet e Luftës në Therra”

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR KS), me një aksion simbolik mbajti aktivitetin me moton “Kujtimet e Luftës në Therra”.

Njëra nga hulumtueset nga kjo organizatë, Bjeshka Guri, tha se ky aksion është ftesë për rritjen e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë publike për të çliruar kujtimet e luftës nga harresa jonë individuale dhe kolektive. Në të njëjtën kohë, sipas saj, është edhe thirrje për Qeverinë për të bërë angazhim intensiv për të mundësuar krijimin e një kujtese kolektive, të paanshme dhe të çliruar nga dozat nacionaliste. Guri përmendi nevojën për të hedhur dritë mbi të kaluarën e luftës së fundit në Kosovë.

“Në vazhdën e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të hedhur dritë në të kaluarën si për përkujtim të më shumë se 13 mijë të vrarëve, kërkimi i drejtësisë dhe të vërtetës për më shumë se 1600 personave të pagjetur, luftimin e stigmës për më shumë se 20 mijë viktimave të dhunë seksuale, avokim për reforma institucionale, memorializim të luftës dhe të tjera, sot në ditën Ndërkombëtare Për të Drejtat e Njeriut ne kujtojmë dhe kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit dhe të mbijetuarat të luftës së fundit në Kosovë”, tha Guri.

Aktivistë të kësaj organizate kanë vendosur në sheshin “Skënderbeu” një instalacion prej telave me gjemba e që në to janë vendosur rroba, kukulla, qirinj dhe gjësende të ndryshme.Ky aktivitet është mbajtur në ditën kur ka filluar edicioni i pestë i Javës për të Drejtat e Njeriut, i cili do të zgjasë deri më 14 dhjetor(të premten)./kp