Barnatore

​Kujdestaria e barnatoreve: Mbi 30 protestojnë sot me kërkesën për ndryshim të rregullores

Pesë barnatore në gjithë kryeqytetin qëndrojnë të hapura gjatë natës, nga e hëna deri të shtunën. Ndërkaq, të dielën dhe festave janë dhjetë barnatore kujdestare. Ky projekt i cili ka nisur të zbatohet në Prishtinë rreth një muaji më parë, po kritikohet nga qytetarët. Përveç tyre, mbi 30 barnatore sot po protestojnë me kërkesën që të ndryshohet kjo rregullore. Në shenjë pakënaqësie të njëjtat kanë hapur barnatoret, por pa shitur barna.

Me dhjetëra barnatore në kryeqytet kanë autorizuar një avokat për të parashtruar kërkesë në Komunën e Prishtinës për ndryshimin e kësaj rregullore.

“Në shenjë pakënaqësie për faktin se jemi vënë në pozitë te aktit të kryer, barnatoret e paraqitura në kërkesë do të organizojnë protestë ditën e diel datë 19.11.2023, duke i hapur barnatoret por duke mos shitur barna, dhe atë çdo të diele deri në ndryshimin e kësaj rregulloreje dhe rikthimin e orarit të vjetër. kjo shkresë është njoftim për protestë. Kjo rregullore madje ashpërson gjobat ndaj bizneseve-barnatoreve prandaj është në kundërshtim me parimin kushtetues të proporcionalitetit në raport me dëmin që i shkaktohet shtetit prandaj ankuesit presin që komuna të mos shqiptoj gjoba për protestën e organizuar nga barnatoret ankuese”, thuhet në shkresën e dorëzuar dy ditë më parë.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku thotë për KosovaPress, se vet qytetarët janë ankuar që nuk ka barnatore të hapura 24 orë në kryeqytet. Ai shprehet se janë mbi 150 barnatore që kanë pranuar të jenë kujdestare.

Sipas tij, deri më tani 90 për qind të barnatoreve e kanë zbatuar këtë rregullore.

“Orari i barnatoreve do të jetë nga e hëna deri të shtunën prej orës 07:00 deri në orën 21:00, prej orës 21:00 deri në mëngjes me qenë pesë barnatore kujdestare. Dhe të dielën dhe festave me qenë 10 barnatore kujdestare. Shikojeni edhe rajonin, vetëm Maqedonia e ka deri në orën 22:00. Tirana, Zagrebi, Beogradi, Podgorica, e kanë orarin që punon deri në orën 20:00 barnatoret. Ne kemi filluar këtë projekt, shumica e barnatoreve, mbi 90 për qind janë duke e zbatuar. Ne po mundohemi tash të shohim reagimet e opinionit, sigurisht se duhet të punojmë më shumë me opinionin publik që ta njoftojmë se çështja e kufizimit ka shumë të mira tjera, se ndryshe shiten barnat natën”, deklaron ai.

Sadiku shton se në kuvendin komunal mund të bëhen plotësim-ndryshimet.

“Ky nuk është dokument statik, është i ndryshueshëm. Ne kemi propozuar ndryshimet sipas propozimit të akterëve të rëndësishëm që të bëjmë ndryshimet të cilat janë të pranueshme për qytetarët. Realisht ne po shohim, tash i bën një muaj dhe do ta fillojmë një grup punues ta bëjmë, që të bëjmë analizën se si ka rrjedhur puna me orarin e kujdestarive. Pastaj të marrim krejt shqetësimet, qoftë një barnatore që ka, qoftë qytetarët dhe këto t’i adresojmë dhe shohim se cila është forma më e mirë që të bëjmë ndryshimet e kësaj rregulloreje”, shton ai.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës pranon që kujdestaria e barnatoreve nuk është mirëpritur nga të gjithë qytetarët.

“Ka pasur reagime të qytetarëve, ndoshta është dashur më shumë që të ju tregohet qytetarëve pse është bërë kjo. Qëllimi kryesor ka qenë që të ketë shërbim 24 orë…. (06:10) Unë mendoj që ky numër (i barnatoreve kujdestare) mund të rritet sa të duan. Për mua le të bëhen 20 barnatore kujdestare, asnjë problem nuk ka. Sa të ketë nevojë kryeqyteti do të ketë barnatore, çdo lagje do të ketë barnatore. Interesi këtu është që të ketë barnatore 24 orë”, përfundon Sadiku për KosovaPress.

Edhe vet qytetarët ankohen për këtë rregullore. Hakif Mehmeti thotë se është çuditur kur ka dëgjuar për këtë orar të barnatoreve.

“Për sy të ballit unë jam çuditur kur e kanë bërë atë punë, ditën që e dëgjova në televizion. Me qenë tri-katër barnatore, po tri-katër barnatore në krejt Prishtinën, çka janë ato, nuk janë asgjë. Njerëzve për çdo ditë u duhen barnat, së pari më duhen mua, e jo edhe tjerëve. Unë kisha bërë apel që të ketë më tepër, e jo veç tri-katër veç për Prishtinë, sa janë këtu. Gati një milion e ka Prishtina”, tha ai.

Vesel Veseli thotë se po ka vështirësi që të gjej të barnatore të hapura. Ai shprehet kritik për këtë vendim që është marrë nga Komuna e Prishtinës.

“Mendoj që ky është një vendim absurd, qysh me kufizu barnatoren që më së shumti ka nevojë në ditë të sodit populli me çfarë sëmundjesh po kaplohet. Më e vlefshme është që të punojnë të gjitha barnatoret, sa do ku do asnjë me kufizu me numër 24 orë, se sa gastronomitë të punojnë 24 orë e barnatoret me i kufizu, kjo është absurd…. Është vështirësi pa gastronomi lehtë mund të ekzistojë pse nuk shkoj diku të pi një kafe apo një çaj, e pi në shtëpi. E unë barnat nuk mund t’i gjej kudo”, shprehet ai.

Por, ka qytetarë të tjerë të cilët pajtohen me këtë rregullore, që përcakton kujdestaritë e barnatoreve gjatë natës. Bislim Ademi thotë se të njëjtën praktikë e ka hasur edhe në vendet e rajonit.

“Veç duhet të kërkohet cila barnatore është në kujdestari, e kujdestaria është shumë e qëlluar deri në orën 21:00, gjithkush merr. Por ka raste që iu duhen barna edhe më vonë, ja në spital apo andej e këndej dhe duhet të ketë kujdestari të tjera barnatore që funksionojnë, kështu është edhe në vendet tjera”, përfundon ai.

Zbatimi i orareve sipas rregullores nga barnatoret e kryeqytetit ka nisur më 23 tetor.