Hajredin Kuçi

Kuçi: Ky dialog nuk ka emër, duhet të zhvillohet dialog për integrim

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka thënë se ndryshe nga dialogu që filloi më 2005 ku flitej për sovranitet, pavarësi e tërësi territoriale, dialogu i tashëm nuk ka emër, pasi që nuk po dihet realisht tema e diskutimit. Ai ka propozuar që të zhvillohet një dialog për integrim, shkruan zeri.info

” Më 2005 dialogu ka pasur emër e qëllim, në të 2018 sja di emrin. Kemi shkuar për pavarësi, sovranitet, njohje ndërkombëtare. Sot ka ndryshu kahja e bisedimeve” ka thënë Kuçi në tryezën e diskutimit “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosovë-Serbi dhe mësimet që lidershipi i Kosovës duhet të përsërisë”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Sipas tij, i nevojshëm do të ishte një dialog për integrim që do të zhvillohej mes dy vendeve, për integrimin më të madh të popullsisë serbe në jetën publike.

“I nevojshëm do të ishte një dialog për integrim ku do te flitej për integrimin e popullsisë serbe në jetën publike”, tha Kuçi.

Ai po ashtu kërkoi që për çdo marrëveshje fillimisht të ndryshohet rezoluta 1244, të diskutohet për idenë, të ketë unitet mes pozitës e opozitës e assesi të mos preket struktura shtetërore e popullsisë nga marrëveshjet.

Kuçi gjithashtu ndau përvoja nga bisedimet e kaluara me Serbinë në këtë diskutim.