Kuçi arsyetohet nga ministria që e udhëheq: S’ishte i informuar për lejet e Kelkosit për hidrocentralet

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka lëshuar sqarim lidhur me lejet e lëshuara nga ZRRE-ja për operimin me dy hidrocentrale nga kompania “Kelkos Energy”.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se ministri Blerim Kuçi në mëngjes nuk e ka pasur informacionin e plotë për lëshimin e licencës për operim për Kelkosin.

“Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, procesi për pajisje edhe me leje mjedisore nuk e implikon ministrin direkt në proces, pasi rruga administrative e këtyre dokumenteve zhvillohet mes departamenteve dhe Komisionit për Leje Mjedisore, duke përfunduar si proces në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në njoftim thuhet se kompania ka dështuar të marrë edhe lejen e tretë pasi komisioni ka konstatuar se nuk janë përmbushur kushtet.

Sipas njoftimit, “Kompania ‘Kelkos Energy’, kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur Pëlqimin Mjedisor për të tri Hidrocentralet.

“Kërkesës për Leje Mjedisore i ka bashkangjitur aplikacionet të ndara për të tri Hidrocentralet veç e veç, po ashtu taksa për Leje Mjedisore është kryer për të tri Hidrocentralet veç e veç”, thuhet në njoftim.