Kualifikimet në LK: Prishtina përballet me klubin e fortë hungarez, nëse e kalon rrethin parakualifikues

Prishtina do të përballet me klubin hungarez Ferencvaros në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, nëse paraprakisht e kalon rrethin parakualifikues.

Shorti i hedhur të martën në UEFA për rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve deshi që fituesi i mini-turneut parakualifikues të përballet me klubin hungarez.

Klubi hungarez u kualifikua në fazën grupore për herë të parë pas 25 vjetëve sezonin e kaluar, por përfundoi në vend të fundit pas Juventusit, Barcelonës dhe Dinamo Kievit.

Për Ferencvarosin luan sulmuesi i Shqipërisë Myrto Uzuni, i cili i kishte shënuar gol Juventusit midis Allianz Stadium në disfatën e ekipit të tij 2:1 në sezonin e kaluar të Ligës së Kampionëve

Kjo është hera e parë që Prishtina merr pjesë në kualifikime për garën më prestigjioze evropiane për klube.

Por para se të mendojë për rrethin e parë kualifikues, kampionia e Kosovës duhet të përgatitet për duelin gjysmëfinal në mini-turneun parakualifikuesh kundër kampionit të San Marinos, Folgore. Takimi do të zhvillohet më 22 qershor. Në gjysmëfinalen tjetër përballen Tórshavn dhe Inter Club d’Escaldes.

Prishtina duhet ta mundë Folgoren dhe pastaj ta fitojë finalen më 25 qershor në Elbasan Arena në Shqipëri, për t’u përballur me klubin hungarez në rrethin e parë kualifikues.

Nëse e kalon rrethin parakualifikues, Prishtina do t’i zhvillojë dy ndeshje ndaj klubit hungarez në rrethin e parë kualifikues, vajtje-ardhje më 6 ose 7 korrik dhe më 13 apo 14 korrik.

Por në rast se dështon ta kalojë rrethin parakualifikues, atëherë klubi bardhekaltër do të bartët në rrethin e dytë kualifikues për pjesëmarrje në Europa Conference League – garën e nivelit të tretë të futbollit evropian.