Salih Mustafa

Ku do ta vuajë dënimin Salih Mustafa?

Ka më shumë se tre vjet që po qëndron brenda mureve.

Vendqëndrim për ish-kreun e UÇK-së, Salih Mustafa, qendra e paraburgimit në Hagë, ishte në kohën kur ishte i akuzuar dhe kur kishte një vendim dënues të shkallës së parë.

Por, me shpalljen e aktgjykimit të apelit, fajësia e tij u vërtetua, edhe pse burgimi iu ul për 4 vite.

Me këtë rast, sipas avokates, Fehmije Gashi Bytyqi, qëndrimi i mëtejmë i tij në paraburgim në Hagë, nuk ka bazë ligjore.

Edhe pa një vendim të formës së prerë, me rregullore të Dhomave të Specializuara, në mënyrë konfidenciale administrata fillon disuktimet me shtete ku mund të dërgohet i dënuari për  vuajtje të dënimit.

“Pasi Trupi Gjykues shqipton vendimin me anë të të cilit dënon të akuzuarin, Administratori komunikon me shtetet në mënyrë konfidenciale, lidhur me gatishmërinë e tyre për të pranuar personin e dënuar për zbatimin e dënimit me burgim. Administratori u kërkon shteteve që brenda një date të caktuar të informojnë lidhur me gatishmërinë e tyre për të pranuar personin e dënuar”, thuhet në vendim, përcjell tëvë1.

Mirëpo, kur vendimi merr formën e prerë, atëherë administrata sipas rregullores, raporton tek kryetarja e Dhomave të Specializuara për këtë çështje, por sërish në mënyrë konfidenciale.

“Pas shpalljes së aktgjykimit të formës së prerë dhe marrjes së njoftimit nga një shtet lidhur me gatishmërinë për të pranuar personin e dënuar, Administratori i dorëzon Kryetarit një raport konfidencial”.

Bazuar në këtë raport, pastaj vendoset shteti në të cilin i dënuari do të vuajë dënimin.

Në këtë fazë, këto diskutime në rastin e Salih Mustafës, mes administratës – shteteve të huaja – kryetares së Gjykatës Speciale, janë ende konfidenciale.