Miroslav Lajçak

Kthimi në bisedime, “mision i pamundur” për Lajçakun

Vizita në Kosovë dhe në Serbi e Mirosllav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, është “burokratike”, thonë analistët Emir Abrashi dhe Dushan Janjiq.

Aktualisht, thonë ata, është e pamundur të vazhdohet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Po ashtu, sipas tyre, është e pamundur të arrihet edhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit që ka këtë qëllim.

Lajçak, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë, më 18 qershor, tha se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke kujtuar se qasja në fondet e BE-së varet prej saj.

Ai takoi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ndërsa në Beograd, më 19 qershor, do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit.

Kurti po qëndron në Gjermani me ftesë të përfaqësuesit të posaçëm gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin. Atje, mes tjerash, ndoqi edhe ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Kroacisë, në kuadër të Kampionatit Evropian Euro 2024.

Pas takimit me Lajçakun, Bislimi theksoi rëndësinë e “nënshkrimit dhe zbatimit të plotë të Marrëveshjes [së Ohrit], përmes një plani të balancuar, të barabartë dhe të drejtë”.

Ai, po ashtu, tha se Serbia e ka shkelur vazhdimisht këtë marrëveshje, sidomos nenin që ka të bëjë me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Serbia e bëri këtë gjë muajin e kaluar, kur po shqyrtohej anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Vitin e kaluar, Prishtina dhe Beogradi pranuan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit. Ajo u propozua nga Bashkimi Evropian, i cili e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve që nga viti 2011.

Kurti, megjithatë, këmbëngul që marrëveshja të nënshkruhet para fillimit të zbatimit, ndërsa Serbia i ka tërhequr tashmë “vijat e kuqe”, duke deklaruar se “nuk do ta pranojë kurrë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Sipas BE-së, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët edhe pse nuk është nënshkruar.

Marrëveshja, mes tjerash, parasheh që Serbia të mos e bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe t’i pranojë simbolet, dokumentet e diplomat e saj.

Kosova, në anën tjetër, ka marrë përsipër që t’i japë komunitetit serb një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, që në praktikë nënkupton formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

A mund të kthehen palët në tryezën e bisedimeve?

Emir Abrashi, nga organizata joqeveritare Demokracia Plus në Prishtinë, nuk beson se Lajçak do t’ia dalë t’i bindë palët që të ulen në tryezën e bisedimeve. Kjo, për dy arsye:

“Së pari, është fakt se Bashkimi Evropian është në një fazë tranzitore [pas zgjedhjeve], gjatë së cilës po zhvillohen negociata të brendshme për formimin e institucioneve të reja të BE-së. Prandaj, fokusi në Bruksel është diku tjetër, jo te dialogu për normalizimin e marrëdhënieve”.

“Së dyti, zoti Lajçak është drejt fundit të mandatit, ndërsa reputacioni i tij si ndërmjetës neutral – sidomos në Prishtinë – është shumë i dëmtuar”, thotë Abrashi.

Lajçak është dashur ta fillojë mandatin e tij si ambasador në Zvicër më 1 shtator të këtij viti, por ai tha se i është kërkuar që të mbetet në pozitën e të dërguarit të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në fund të janarit të vitit 2025.

Kurti dhe Vuçiq biseduan për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për herë të fundit më 14 shtator të vitit 2023, por pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Kosova e akuzoi Serbinë për këtë sulm, por Beogradi zyrtar e mohoi përgjegjësinë.

Përfaqësuesit e vendeve perëndimore, ndërkohë, u përpoqën disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa rezultat.

Po ashtu, shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, shkuan disa herë në Bruksel për të diskutuar për tejkalimin e krizave, por as mes tyre s’kishte përparim.

Një nga krizat e fundit lindi pasi Qeveria e Kosovës, në fillim të vitit, vendosi ta heqë nga përdorimi dinarin serb – gjë të cilën popullata serbe në Kosovë e kundërshtoi, sepse merr të ardhura nga buxheti i Serbisë.

As Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd nuk beson se vazhdimi i dialogut mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Ai shpreh bindjen se vizita e Lajçakut në Kosovë dhe në Serbi nuk ka të bëjë me ndërmarrjen e hapave konkretë në kuadër të dialogut. Sipas tij, është “një vizitë burokratike” përpara diskutimit të ministrave të Jashtëm të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Më 18 qershor, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dorëzoi raportin e tij te shtetet anëtare dhe, sipas burimeve të REL-it, rekomandoi heqjen e masave kundër Kosovës.

Ato u vendosën në qershor të vitit të kaluar, pas rritjes së tensioneve në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, si pasojë e ardhjes në pushtet të kryetarëve shqiptarë.

Janjiq: Një dekadë negociata pa përparim në terren

Janjiq thotë se BE-ja duhet të marrë përgjegjësi për, siç thotë, dështimet në dialog dhe përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

Ai shton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kanë shfrytëzuar hapësirën që u ka dhënë BE-ja “për të luajtur” me dialogun dhe për të krijuar kriza për pikë politike personale.

Në këtë kontekst, thotë ai, pavarësisht dialogut, në dhjetë vjetët e fundit ka pasur ashpërsim të marrëdhënieve, në vend të normalizimit të tyre.

“Marrëdhëniet e sigurisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq, marrëdhëniet mes serbëve [në Kosovë] dhe autoriteteve të Kosovës nuk kanë qenë kurrë më keq. Pra, kemi pasur barrikada me njerëz të armatosur, pastaj është shpallur ‘menaxhimi i konfliktit’, i cili ka përfunduar me masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat tani do të shfuqizohen”, thotë Janjiq.

Ai beson se nuk do të ketë përparim serioz në dialog nëse SHBA-ja dhe Britania e Madhe nuk marrin pjesë më aktive.

Këto dy vende e kanë mbështetur deri më tani dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Abrashi: Dialogu nuk ka alternativë

Abrashi, në anën tjetër, thotë se me gjithë qëndrimet e kundërta, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve nuk ka alternativë.

Sipas tij, është e rëndësishme që lidershipi politik në Prishtinë dhe ai në Beograd ta marrin seriozisht këtë proces.

Ai thotë se pret që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë vullnet të mirë kur është fjala për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

“Kjo mund të arrihet vetëm duke shmangur rritjen e tensioneve dhe me zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në këta 13 vjet negociata – edhe nëse kjo do të thotë në mënyrë të njëanshme,” shprehet Abrashi.

Ajo që shihet si mundësi për rritjen e tensioneve nga bashkësia ndërkombëtare është njoftimi i Kosovës për hapjen e urës kryesore të Ibrit në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në pjesën jugore dhe veriore.

Edhe pse në Bruksel ka një marrëveshje për hapjen e kësaj ure, Bashkimi Evropian thotë se kjo duhet të arrihet në mënyrë paqësore, në marrëveshje me autoritetet lokale.

Nga misioni paqeruajtës KFOR, pjesëtarët e të cilit patrullojnë në urë, thonë se çdo vendim për hapjen e urës për qarkullim duhet të merret në kuadër të dialogut të Brukselit./REL