Kthimi i Kurtit e Vuçiqit në Bruksel, si e përgatitën terrenin diplomatët për takimin e 18 gushtit

Reflektorët janë kthyer kah Kosova dhe Serbia, pas tensioneve në veri. Pak para takimit Kurti – Vuçiq, që i paraprin afatit kur skadon pezullimi i reciprocitetit, janë aktivizuar zyrtarët e angazhuar për dialogun Kosovë – Serbi. Në vigjilje të takimit në Bruksel, Kryeministrin Kurti e kanë telefonuar nga Londra dhe Uashingtoni. Ndërsa në Prishtinë, dje, e vizituan top diplomatët e akredituar në Kosovë. Këto zhvillime në Serbi i komentoi Ivica Daçiq, për t’ia bërë një nderë bashkëpunëtorit të tij Aleksandar Vuçiq, duke thënë se këto “ditë po merren vendime për luftë apo paqe në Kosovë”.

Takimet mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, të cilën kryesisht e ka përfaqësuar Aleksandër Vuçiqi, janë përcjell me dramacitet. Por, ky që pritet të ndodhë nesër me Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, ka marrë vëmendje të shtuar.

Ai është thirrur pas tensioneve të fundit të korrikut në Veri dhe para se të përfundojë pezullimi njëmujor që Qeveria e Kosovës ia ka bërë vendimit për reciprocitet në targa dhe dokumente të lëshuara nga Serbia.

Diplomatët amerikanë dhe evropianë janë marrë intensivisht me Kosovën dhe Serbinë, pas trazirave, që u tha se ishin ndër më seriozet në shumë vjet.

Kryeministri Kurti mbrëmë pati një bisedë përmes telefonit me këshilltarin në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kurti tha se Chollet ia ka përcjell përshëndetjet e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin janë takuar gjatë muajit të kaluar.

“Telefonatë e frytshme me Derek Chollet, për shumë çështje, përfshirë dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke. Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë të mrekullueshëm në DC muajin e kaluar”, ka shkruar Kurti.

Thirrjen e Cholletit u raportua se e ka pasur edhe Vuçiqi. Presidenca serbe tha se tema e vetme qe u diskutua në këtë telefonatë ishte takimi me Kurtin, përcjell express.

Pak minuta para njoftimit për thirrjen nga DASH, Kryeministri tregoi se ka biseduar edhe me Sir Stuart Peach, që është caktuar si emisarin special për Ballkanin Perëndimor, nga Britania e Madhe.

“Përpara diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen reciproke dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Dje në zyrë të Kurtit qëndruan ambasadorë të shteteve të QUINT’it dhe Përfaqësuesi i BE’së për të bashkëpunuar dhe bashkërenduar, siç u tha, në njoftim të zyrës së Kryeministrit, për takimet në në Bruksel dhe procese që lidhen me dialogun.

Përveç thirrjeve, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka caktuar takim me Kurtin dhe Vuçiqin ndaras, menjëherë pas tensioneve në veri dhe pasi palët u morën vesh të takoheshin në Bruksel më 18 gusht.

Nesër dy liderët ballkanikë ulen në tryezën e diskutimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa sot njëherë njëri, pastaj tjetri, e takojnë Stoltenbergun.

Për takimin e nesërm është folur që prej se ai u caktua.

Gabriel Escobar, emisar special amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë do të jetë temë në takimin e 18 gushtit.

Duke thënë se për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin duhet të gjendet një model i duhur, emisari amerikan ka thënë se ai nuk mund të jetë “shtet brenda shtetit”.

BE-ja ka zbuluar se takimi Kurti – Vuçiq nis në orën 10:30, e të pranishëm do të jenë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell dhe përfaqësuesi special për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajcak