Në një kthesë të minutave të fundit, më pak se një orë para skadimit të afatit kushtetues të mesnatës, Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar propozimin e modifikuar të kryeministrit Albin Kurti. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media se grupi i tij parlamentar po niset menjëherë drejt sallës së Kuvendit për të votuar Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.

Hamza konfirmoi se, përkundër vonesave të pajustifikueshme nga ana e mazhorancës, PDK-ja do të marrë pjesë në seancë për t’i hapur rrugë votimit të ligjit dhe zgjidhjes së krizës institucionale.

“Është dashur të ndodhë shumë më herët. Është dashur të ketë seriozitet. Për PDK-në, nga kjo konferencë do të shkojmë në sallën e Kuvendit dhe presim me e votu Ligjin”, deklaroi Hamza para gazetarëve.

Lideri i opozitës bëri të ditur se emri i profesoreshës Justina Shiroka Pula është i pranueshëm për partinë e tij, ndërsa njoftoi se për të përmbushur kriterin kushtetues – i cili kërkon të paktën dy kandidatë në garë – PDK-ja do të propozojë edhe një kundërkandidate formale nga radhët e saj.

“Çështja tjetër është, zoti Kurti, edhe pse s’kemi pasë mundësi me bisedu me zonjën Shiroka, për PDK-në është emër i pranueshëm për presidente. PDK e propozon si kundërkandidate edhe Elia Hoxhën për të plotësuar procedurën”, theksoi kreu i PDK-së.

Ky vendim i PDK-së pritet t’i sigurojë kuorumin e domosdoshëm prej mbi 80 deputetësh në sallë dhe shmang përfundimisht rënien e Kuvendit e shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Deputetët tashmë po mblidhen në sallën plenare, ku pritet të votohet fillimisht në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara dhe menjëherë pas tij të nisë procedura e votimit për zgjedhjen e presidentes së re të Republikës së Kosovës.