Kryeziu: Sami Uka dhe Rabit Konjufca janë të emëruar sepse nuk janë të zgjedhur

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, folur për Sami Ukën dhe Rabit Konjufca të cilët janë emëruar këshilltar politik të ministrave të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes.

Kryeziu ka thënë se ata janë të emëruar sepse nuk janë të zgjedhur. Ky reagim i tij vjen pas disa raportimeve të mediave në të cilat thuhej se Sami Uka është vëllai i Fitim Ukës, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se Rabit Konjufca është agja i Glauk Konjufcës, kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Sami Uka është specialist i mjekësisë familjare dhe është magjistër i kujdesit parësor shëndetësor i diplomuar nga Universiteti i Londrës. Përvoja e tij profesionale përfshinë angazhimin si mjek në International Medical Corps dhe zyrtar i lartë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë”.

“Kurse, Rabit Konfjuca ka të përfunduar Fakultetin e Mbrojtjes dhe Sigurisë. Ka qenë pjesëtar i UÇK-së, TMK-së dhe FSK-së. Ai ka përvojë dhe njohuri në fushën e sigurisë, e cila është e veçantë dhe e vlefshme për shkak se përshkon të gjitha fazat e transformimit të ushtrisë sonë”.

“U takon ministrave ta përzgjedhin stafin dhe bashkëpunëtorët e tyre që ata mendojnë se do t’u ndihmojë dhe që i besojnë në kryerjen e detyrave dhe në përmbushjen e zotimeve”, ka shkruar Kryeziu në rrjetin social Facebook.