Kryeziu: Hezitimet e para për vizat i kishin Franca, Holanda dhe Gjermania
Taulant Kryeziu nga Instituti EPIK ka thënë se politikanët tanë gjatë vitit 2018 kanë dhënë premtime se do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës brenda vitit, por situata ka ndryshuar muajt e fundit.
“Diskursi i zyrtarëve shtetërorë ka ndryshuar me vizitat e fundit të zyrtarëve të BE-së, kur e kanë vënë theksin në sundimin e ligjit. Përfaqësuesit tanë atëherë kanë filluar të kërkojnë diçka më të vogël”.
Kryeziu në “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini ka thënë se zotim nga zyrtarët e BE-së për liberalizim të vizave brenda vitit 2018 nuk ka pasur.
“Ka pasur një qëndrim nga zonja Mogherini, që ka thënë se ka pasur një hap përpara në procesin e liberalizimit të vizave. Dhe ky qëndrim është dhënë në një kohë kur skena jonë politike ka pasur një polarizim të skajshëm”, tha ai.
Kryeziu ka thënë se janë edhe gjashtë hapa që Kosova duhet t’i kalojë për të përfituar liberalizimin e vizave.
Sipas tij, problemet e brendshme në BE janë evidente në vonesën e liberalizimit të vizave, por ka edhe faktorë të brendshëm që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit që kanë penguar procesin.
“Po të kishim dhënë shembuj të mirë ne në sistemin e drejtësisë, do të bëhej presion ndaj vendeve të BE-së”, tha Kryeziu.