Kryetarja e re e Preshevës: Është jetike të trajtohemi me prioritet në dialogun Kosovë-Serbi

Qeverisja e re në Preshevë po zotohet se nuk do të jetë e nënshtruar nga udhëheqja autoritare e Aleksandër Vuçiqit. Katër parti politike shqiptare janë bërë bashkë për të qeverisur në katër vitet e ardhshme, duke siguruar kështu 22 mandate në Kuvendin Komunal.

Kryetarja e sapozgjedhur e komunës së Preshevës, Ardita Sinani flet për prioritetet e saj, duke u zotuar se do të jetë bashkëpunuese me opozitën.

Pavarësisht akuzave që kanë pasur për njëri-tjetrin, Sinani thotë se do t’i ofrojë bashkëpunim Alternativës për Ndryshim dhe Listës Serbe, por që nuk do të merret me akuzat që ka pasur ish-kryetari, teksa shton se gjendja në Luginë është e keqe.

“Qeverisja jonë është me shumicë shqiptare, është një ndër komunat e pakta në vend që nuk kontrollohet nga pushteti qendror në Beograd. Gjendja aktuale është shumë e keqe. Për momentin jam duke bërë konsultat me drejtorët e institucionit. Qysh mbledhjen e parë që do ta kem me anëtarët e Këshillit Komunal do të shohim për dyshimet që i kemi për keq-menaxhim të buxhetit dhe mjeteve të taksa-paguesve tonë”, shprehet ajo.

Ajo pret nga Qeveria e Kosovës bashkëpunim, meqë thotë se është domosdoshmëri e kohës. Teksa përmend dialogun me Serbinë, shton se lugina duhet të trajtohet me prioritet në tryezën e bisedimeve.

“Në këtë fazë shumë të rëndësishme të dialogut Kosovë-Serbi është jetike dhe domosdoshmëri e kohës dhe për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkan, Lugina e Preshevës të trajtohet me prioritet në tryezën e bisedimeve. Është kërkesë e vazhdueshme e përfaqësuesve politik shqiptar të Luginës së Preshevës. Është jetike dhe duhet të koordinohemi mirë me Prishtinën zyrtare për të harmonizuar qëndrimet tona dhe kërkesat tona. Po ashtu, kërkojmë fuqishëm që një nga prioritet e qeverisë të jetë Lugina e Preshevës dhe të jetë e shtruar në tryezën e bisedimeve”, thotë ajo për KP.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 28 marsit, Alternativa për Ndryshim kishte dalë fituese e zgjedhjeve, por nuk arriti që të sigurojë 20 mandatet në Kuvendin Komunal.