Kryetarja e Preshevës zbulon shtatë kërkesat që ia parashtruan Gërvallës

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani ka dhënë detaje për takimin që kanë pasur sot me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Në një lidhje direkte në emisionin “Frontal”, Sinani ka thënë se janë jashtëzakonisht të kënaqur me takimin që kanë pasur me ministren Gërvalla.

“Sa përfunduam një takim me ministren Gërvalla. E falënderojë jashtëzakonisht shumë zonjën Gërvalla për vizitën dhe përkushtimin e saj që ka për Luginën  e Preshevës. Ishim jashtëzakonisht të kënaqur me vizitën e saj. Një interesim jashtëzakonisht shumë i madh nga përfaqësuesit e zgjedhur. Ne jemi të interesuar sepse bashkërendimi dhe bashkëveprimi i institucioneve të Luginës së Prishtinës dhe atyre të Kosovës është në interes të gjithë qytetarëve në funksion të ndërtimit të paqes në rajon”, deklaroi ajo.

Sinani në “Frontal” zbuloi edhe shtatë kërkesat që i janë parashtruar ministres Gërvalla gjatë këtij takimi.

Ajo tha se ndër kërkesat kryesore ka qenë çështja e pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve në Serbi.

“Në takimin që patëm me zonjën Gërvalla unë kam paraqitur shtatë kërkesa konkrete për Qeverinë dhe MPJ-në e Kosovës. Njëra nga kërkesat kryesore është përkushtimi dhe dinamizmin i diplomacisë së Kosovës për sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për pasivizimin e vendbanimit dhe adresave të shqiptarëve në Serbi”, ka thënë Sinani.

Kryetarja e Preshevës tha se nga Gërvalla kanë kërkuar që shqiptarët e Luginës së Preshevës të përfshihen edhe në përfaqësinë diplomatike të Kosovës.

“Kërkesa e dytë ka qenë përfshirja e kuadrove të përfaqësuesve të Luginës së Preshevës në përfaqësi diplomatike të  Kosovës. Pastaj si kërkesë të tretë kemi parashtruar hartimin e një plani dhe programi nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Si kërkesë të katërt kemi paraqitur funksionalizimin e Zyrës së Luginës së Preshevës në kuadër të Qeverisë së Kosovës”, ka thënë ajo.

Kërkesë tjetër, sipas Sinanit ishte edhe diskutimi për Luginën e Preshevës në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Si kërkesë kemi edhe sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare nga MPJ për moszbatimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë për Luginën e Preshevës. Si kërkesë të gjashtë kemi hartimin e një plani dhe strategjie operacionale nga MPJ e Kosovës për sensibilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për shkelje të të drejtave të njeriut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe e shtata është çështja e diskutimit për Luginën e Preshevës në temat e dialogut me Serbinë”, ka thënë Sinani në Frontal.