Humanisti

Kryetari Veliu priti humanistin Halil Kastrati

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim humanistin Halil Kastrati – kryetar i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.

Në takimin e sotëm Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka falënderuar humanistin Halil Kastrati për kontributin e shoqatës që ai drejton, për të ndihmuar familjet skamnore.

Gjatë takimit, Kastrati e informoi Kryetarin Veliu se Shoqata “Jetimat e Ballkanit” gjatë sivjet ka ndërtuar 15 shtëpi për familje me gjendje të rëndë ekonomike, të cilat nuk e kishin të zgjidhur çështjen e banimit, raporton Ballkani.info.

Kastrati tha se kjo shoqatë gjatë këtij viti ka ndihmuar shumë familje me pako ushqimore, ka ndarë bursa për studentët e familjeve skamnore dhe ofron ndihmë mujore financiare për fëmijët jetimë.

Kryetari Veliu ka vlerësuar kontributin e shoqatës dhe angazhimin e humanistit Kastrati në ndërtimin e shtëpive dhe formave të tjera të ndihmave humanitare.

Me këtë rast kryetari Veliu dhe humanisti Kastrati u dakorduan që bashkëpunimin mes Komunës dhe Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” ta ngrisin në nivel institucional, në mënyrë që të përfshihet një numër sa më i madh i familjeve në nevojë.