Kryetari i Shtimes tregon si ndodhi plagosja e djalit të tij

Të dielën në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën Ferizaj – Lipjan, janë plagosur tre persona nga të shtënat me armë zjarri.

Në mesin e të plagosurve është edhe djali i kryetarit të Shtimes, Naim Ismajlit.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga vet Ismajli, i cili ka thënë se djali i tij nuk ka qenë i përfshirë në zënkë.

Siç ka thënë Ismajli, djali i tij ka qenë duke pirë kafe me shoqëri kur dikush ka qëlluar brenda lokalit, ku edhe është plagosur djali i tij.

Ai ka thënë se djali i tij është qëlluar nga një plumb qorr dhe se nuk ka marrë plagë të rënda.

“Po është e vërtetë, djali ka qenë në një lokal me shoqëri të vet dhe nuk ka qenë i përfshirë në atë zënkë. Është qëlluar nga një plumb qorr. Ka pas një përleshje mes dy grupeve që nuk janë të njohura as për djalin as shoqërinë e tij. Këta kanë qellu brenda kur dikush ka gjuajt me arm zjarri dhe një plumb qorr ka godit djalin po nuk është plaga e rend”, ka thënë Ismajli.

Ndërkohë rastin e plagosjes e ka konfirmuar për lajmi.net edhe zëdhënësja e policisë në Rajonin e Prishtinës, Flora Ahemti.

“Me datën 20.10.2019, rreth orës 03:00, në rrugën Ferizaj – Lipjan, saktësisht në një lokal, është raportuar për të shtëna me armë zjarri, ku lëndime trupore nga arma e zjarrit kanë marrë tre persona. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht policia është duke punuar për arrestimin e personave të dyshuar si dhe sqarimin e rrethanave që lidhen me rastin”, ka thënë Ahmeti.

loading…