Shtime

Kryetari i Shtimes ngushëllon familjet pas aksidentet tragjik në Kroaci

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu ka ngushëlluar familjen Gashi dhe Olluri, pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku humbën jetën një grua bashkë me vajzën e saj.

Aliu përmes një telegrami ngushëllimi thotë se kjo tragjedi i ka goditur rëndë të gjithë.

“Jemi tronditur thellë nga lajmi i kobshëm i aksidentit me fatalitet që e ka pësuar bashkëqytetari ynë Safet Gashi nga fshati Pjetërshticë. Gjatë rrugës së kthimit për në vendlindje për t’i kaluar pushimet verore, për fat të keq në shtetin e Kroacisë, familja Gashi kanë pësuar aksident me fatalitet, ku kanë mbetur të vdekura të ndjerat gruaja e tij, Njomza Olluri-Gashi dhe vajza, Olta Gashi.

Ky lajm i trishtë na ka prekur skajshmërisht dhe familjeve Gashi dhe Olluri, miqve e të njohurve të tyre ua përcjellim ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi të rëndë që na ka goditur të gjithëve”, thotë ai.

Aliu tutje i ka uruar shërim të shpejtë edhe dy familjarëve tjerë të lënduar në aksident.

“Safetit dhe djalit të tij u urojmë shërim të shpejtë dhe lutemi që ky të jetë rasti i fundit ku bashkëkombasit tanë pësojnë aksidente e humbin jetën në rrugë”.

 Ndryshe, në një aksident në Kroaci kanë humbur jetën dy shtetas të Kosovës ndërsa dy të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore.

Në aksidentin e ndodhur rreth orës 23:00 në dalje të Ravçës, në autostradën A1, kanë mbetur të vdekur nënë e bijë shtetas të Kosovës, ndërsa baba e biri kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë transportuar në spitalin e Splitit. Bëhet e ditur se shtetasit e Kosovës vozisnin veturë gjermane, BMW.