Kryetari i Prizrenit “dështon” në qeverisje: Nuk përmbushi as gjysmën e premtimeve në këtë qytet

Mytaher Haskuka i VV’së tashmë e tre vite udhëheq në Komunën e Prizrenit, por brenda kësaj kohe, ka realizuar vetëm 21 premtime prej 49 sa i kishte premtuar.

Sipas hulumtimeve të Institutit Gap, në gjetjet të cilat u publikuan sot vërehet se Haskuka ka përmbushur një numër të vogël të premtimeve, e madje disa prej tyre janë edhe gjysmë të përmbushura.

Nga gjithsej 49 premtime sa i kishte bërë, Haskuka ka përfunduar 21 prej tyre, 10 i ka gjysmë të përmbushura, 14 vetëm të filluara dhe 4 nuk kanë filluar.

Kjo mund të vërehet edhe në fotografinë që shihni më poshtë:

Ndryshe, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2017, shefi i Mytaher Haskukës, Albin Kurti ishte shprehur i bindur se me të do të qeveriset mirë komuna e Prizrenit, ku kishte bërë thirrje nga qytetarët që ta votojnë kandidatin e VV’së, shkruan Gazeta Metro.

“Ka qenë i hapur dhe i dashur më të gjithë qytetarët, i këtillë Myta do të fitojë, dhe i këtillë Myta do të qeverisë me Komunën e Prizrenit”, kishte thënë Kurti.

Vlen të theksohet se ditë më parë nëpër media u raportua se Mytaher Haskuka ka shkarkuar disa drejtorë e zëvendësdrejtorë të shkollave, duke emëruar njerëz të afërt të VV’së.

Ndërkaq në Komunën e Prizrenit, edhe Zyra e Auditimit ka gjetur disa shkelje. Një ndër shkeljet e evidentuara janë ato për tenderët, që u është dhënë kompanive me borxhe tatimore.