Kryetari i Pontes akuzon Berishën se nxiti përleshjen, u kërkon falje të gjithëve për pamjet e shëmtuara

Kryetari i Ponte Prizrenit, Zgjim Kryeziu, ka akuzuar basketbollistin pejan Dardan Berisha se nxiti përleshjen që ndodhi në ndeshjen mes Pontes dhe Pejës, e që rezultoi me ndërprerjen e ndeshjes së pestë të serisë gjysmëfinale të plejofit.

Kryeziu ka thënë se shpreson në një vendim meritor të Federatës së Basketbollit të Kosovës, ndërsa i ka kërkuar falje teleshikuesve dhe gjithë dashamirëve për pamjet e shëmtuara.

“Në fund të çerekut të dytë basketbollisti i KB Pejës, Dardan Berisha, i cili ka përvojë të gjatë në lojën e basketbollit dhe i cili duhet të jetë shembull në fushë, ka bërë provokime dhe e ka fyer mbi baza personale trajnerin dhe po ashtu ka fyer bankën e ekipit tonë, e ka fyer edhe gjyqtarin e ndeshjes Xhelal Mumini. Më pas lojtarët e KB Pejës kanë filluar sulmet fizike ndaj lojtarëve dhe stafit teknik të klubit tonë. Të gjitha këto mund të shihen në videoxhirimet e kamerave prezentë në sallë. Unë si kryetar i klubit KB Ponte Prizreni, për të gjitha ngjarjet që ndodhën në lojën mes KB Ponte Prizrenit dhe KB Pejës shprehi keqardhje maksimale dhe uroj që skena të tilla të mos përsëriten më. Ne si klub presim vendim meritor dhe të paanshëm nga Federata e Basketbollit të Kosovës për të gjitha ndodhitë e ndeshjes së sotme në mes të KB Ponte Prizreni dhe KB Peja. Gjithashtu, e ndjej obligim moral që të kërkoj falje ndaj të gjithë teleshikuesve dhe dashamirësve të basketbollit në Kosovë që u detyruan të shihnin ngjarje dhe skena të tilla të papranueshme për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e Kryeziut.