Lulzim Hetemi

Kryetari i Leposaviqit: Procesi i peticionit për shkarkimin tim nuk është i sinqertë, qytetarët po paguhen nga Serbia 

Nga zyra e tij, ku po punon tash e 8 muaj, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka përcjellë procesin e mbledhjes së nënshkrimeve për peticionin, përmes të cilit synohet shkarkimi i tij nga pozita që aktualisht e mban.

Një grup qytetarësh të organizuar rreth orës 9:00 të mëngjesit, dje ishin nisur drejt një tende që ishte vendosur përballë Komunës së Leposaviqit dhe aty nënshkruajtën peticionin i cili është formuluar për të kërkuar shkarkimin e kryetarit Lulzim Hetemi.

Në një intervistë për KALLXO.com, kryetari aktual i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e sheh jo të sinqertë dhe me presion nënshkrimin e peticionit.

“Jo, s’e shoh të sinqertë, sikur më herët kur kemi hy këtu sepse vet i kam parë nënat serbe me fëmijë në dorë kur i kanë dëgju këmbanat e kishës, vrapojshin me ardhë me u nënshkru këtu, ne i kemi përcjellë edhe vetë këto, ashtu është edhe sot me peticion, nëse është i sinqertë edhe një herë po them këtë e ka leju vetë shteti, Qeveria e Kosovës, ne jemi këtu për me u bo mirë”- thotë Hetemi deri sa denoncon se ka fotografi që qytetarët u paguan për këtë çështje.

Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Deri sa po bisedonte me ekipin për çështjen e peticionit ai tregoi se që nga mëngjesi i ka vëzhguar se çfarë po zhvillohej afër zyrës së tij.

“Deri më tash kanë hezituar me dalë, ka mungu organizimi por me të gjitha gjasat sepse kam qenë këtu nga mëngjesi dhe i kam përcjellë. Hynin njerëzit nga tenda e bardhë në tendën tjetër dhe po, kemi pa dhe janë të fotografuar që kanë shpërndarë para. Në mëngjes ka pasur kallaballëk po tash e patë edhe ju nga 2-3 vetë nuk janë. Fakt është që kanë presion qytetarët sidomos ata që paguhen nga sistemi paralel nga Serbia sidomos shëndetësia dhe arsimi, ata janë të detyruar, kemi informata shumë të sakta edhe nga Policia që janë duke i detyruar, informacione kemi edhe nga punëtorët serbë që i kemi këtu”- thotë ai.

E këto fakte ai thotë se nuk i ka deponuar pasi që Policia është në dijeni për këto çështje.

“Jo, nuk i kam deponuar këto, ne kemi vetëm dyshime se po hynë aty e po dalin dhe dy-tre persona kanë numëru pare kur kanë dalë nga aty. Unë kam bisedu edhe me drejtorin e Policisë në stacionin policor në Leposaviq dhe ata janë duke e përcjellë situatën”- shton ai.

Tutje Hetemitregon se pse nuk i lejoi grupit iniciator të peticionit lokacionin tjetër për të cilin kishin kërkuar ta shfrytëzonin.

“Kanë kërkuar një sallë sportive por është bukur larg, dhe që t’i mbajmë në vëzhgim, me pa çka po bëjnë, se këta dinë edhe me manipulu, ua kemi dhënë këtu, fillimi ka qenë edhe vetë këtu para Komunës i kemi leju dhe këtu janë nga sot”- tregon ai deri sa thotë se këtë aktivitet (nënshkrimin e peticionit) ua kanë lejuar vetë që ta mbajnë.

Nënshkrimi i peticionit në Leposaviq për shkarkimin e Lulzim Hetemit. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Kjo pasi që ishte Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal që përmes një udhëzimi administrativ ka lejuar qytetarët të mbledhin nënshkrimet dhe të kërkojnë shkarkimin e kryetarit.

“Qeveria, Ministria e Pushtetit Lokal në bashkëpunim edhe me ne e kanë mundësu peticionin dhe nuk e kemi atë problem. Sipas mendimit tim ia ka vlejtë shumë, sepse po e shihni edhe ju vetë ndryshimin. Keni qenë edhe herave të tjera edhe gjatë protestave, ia ka vlejtë sepse është shtri sovraniteti në tërë Leposaviqin por edhe në tërë veriun e Kosovës”- tha kryetari Hetemi.

Kryetari thotë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme pasi që, sipas tij, e ka arritur qëllimin e tij.

“Nuk e besoj, ia kam arritë qëllimit. Më mirë me e lanë me kaq. Qëllimi jonë ka qenë shtrirja e sovranitetit dhe nëse vjen dikush pas neve këtu, shihni zyrën dhe komunën me simbole dhe ligje të Kosovës, nuk besoj që do të ketë struktura paralele”- shton tutje kryetari Hetemi.

Në fund të intervistës, kryetari Lulzim Hetemi tregon pak edhe për punën në Komunë, duke përmendur faktin se punët po ecin mirë dhe në bazë të rregullave.

“Në Komunën tonë, zyrtarët janë shumica serbë, kemi drejtori, gjashtë drejtori i kemi shqiptare, po funksionon mirë, të gjitha zyrat i kemi pru këtu, para Vitit të Ri i kemi shpërnda 438 mijë euro subvencione, në bujqësi, shëndetësi, për njerëz që kanë qenë të sëmurë dhe studentëve u kemi nda bursa. Bashkëpunimi po ec mirë sepse të gjithë janë djem dhe vajza të reja që nuk kanë punu në institucione paralele më herët”- përfundon ai.