Kryetari i Klinës mohon se ndikoi në punësimin e vajzës, thotë se ajo ishte kandidatja më e mirëfilltë

Më 26 mars të vitit 2018, Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kishte firmosur kontratën e punës për të bijën e tij, Marigonën. Ajo ishte zgjedhur si më e mira në mesin e gjashtë kandidatëve që synonin pozitën e Mjekut të Përgjithshëm në QKMF. Por, vendimi për formimin e komisionit që e kishte renditur të parën të bijën e kryetarit, kishte nënshkrimin e babait të saj. E ky nënshkrim i ka nxjerrë probleme këtij të fundit. Prokuroria e Pejës dje ka ngritur aktakuzë ndaj Elezajt për konflikt interesi. Express ka qëndruar sot gjatë ditës në Klinë dhe ju sjell versionin e Kryetarit të Komunës, Drejtorit të Shëndetësisë dhe opozitës atje për këtë rast

Listës së zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që akuzohen për punësimin e familjarëve të tyre në institucione publike u është bashkuar edhe Zenun Elezaj.

Elezaj, i cili është Kryetar i Komunës së Klinës, po akuzohet për konflikt interesi, përkatësisht punësimin e vajzës së tij Marigonës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

Marigona Elezaj kishte aplikuar për pozitën e Mjek i Përgjithshëm, në konkursin që ishte shpallur më 2 shkurt të 2018’ës. Bashkë me të për këtë pozitë, kishin aplikuar edhe pesë kandidatë të tjerë.

Pas intervistës me shkrim dhe me gojë, Komisioni Vlerësues Përzgjedhës e kishte zgjedhur si më të suksesshmen Marigona Elezajn.

“Bazuar në rezultatet si më lartë, kandidatja Marigona Elezaj me total 93.10 pikë shpallet si kandidatja më e suksesshme për vendin e punës Mjek i Praksës së Përgjithshme në QKMF”, thuhet në dokumentin mbi shpalljen e rezultateve të konkursit.

Komisioni që e renditi të parën vajzën e Kryetarit të Klinës përbëhej nga Xhemajl Raci, Burim Hoti, Isa Gashi, Gazmend Bojaj dhe Vezure Terdevaj, derisa vendimi për formimin e këtij komisioni mbante nënshkrimin e Zenun Elezajt.

E pikërisht ky nënshkrim do t’i nxirrte probleme më vonë Elezajt. Për këtë veprim të tij, tashmë Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë për konflikt interesi.

Gazeta Express ka qëndruar sot gjatë ditës në Komunën e Klinës, ku ka biseduar me Kryetarin e Komunës, Zenun Elezajn, Drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Sejdiu, dhe asambleistë të kësaj komunë, dhe ju sjell versionin e tyre për këtë rast.

Elezaj i ka thënë Gazetës Express se informatën se ndaj tij ka një aktakuzë e ka marrë përmes mediave.

Elezaj e pranon se e bija e tij, Marigona është punësuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë në fillim të vitit të kaluar, por mohon kategorikisht se ai ka pasur ndikim në punësimin e saj.

Thotë se konkursi ka qenë transparent dhe se procedurat kishin përfunduar pa ndonjë ankesë për parregullsi.

“Informatën se ndaj meje është ngritur aktakuzë për konflikt interesi e kam marrë nga mediat dje. Vajza ime, Marigona, është punësuar në fillim të vitit 2018, me një konkurs transparent dhe procedurat kanë përfunduar pa asnjë ankesë. Në Komunën e Klinës siç dihet kemi mungesë të mjekëve, dhe secili që përfundon studimet dhe merr licencën pranohet në punë”, ka thënë Elezi.

Elezaj tregon se vajza e tij nuk punon në QKMF që nga shtatori, ngase ka ikur për në Gjermani. Të njëjtën rrugë si Marigona, sipas Elezit po planifikon ta ndjekë edhe motra e saj pas këtij rasti.

“Vajza nuk punon më aty sepse punon në Gjermani në një spital. Ajo ka shkuar atje në fillim të shtatorit. Nëse Prokuroria ka ngrit aktakuzë është në njëfarë forme jo e rregullt. Unë e kam edhe vajzën tjetër mjeke dhe edhe një muaj ajo e merr licencën. Pas këtij rasti, ajo po thotë që veç me shku në Gjermani. Qysh me apliku unë po thotë”, tregon ai.

Pavarësisht akuzave, Elezaj thotë se nuk ka bërë ndonjë shkelje në këtë rast dhe së është i gatshëm që ta dëshmoi pafajësinë. Shton se është ftuar nga Prokuroria pak ditë para zgjedhjeve për të dhënë deklaratë.

“Në rastin konkret jam përkujdes që i gjithë procesi të jetë i rregullt, sepse s’ka pas ndonjë ankesë. Po del që e kam firmosur komisionin që është bërë pranimi por jam përgjegjës për çdo zhvillim që bëhet në komunë asnjë ndërhyrje sepse nuk ka pasë kandidatë të mirëfilltë. Të tjerët kanë qenë vetëm sa me e mbush kourumin. Jam i gatshëm ta dëshmoj pafajësinë sepse s’kam ndiku hiç në këtë proces.”, ka thënë Elezaj për Express.

E se konkursi ka qenë transparent po thotë edhe Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Klinë, Hekuran Sejdiu.

Sipas tij, ky konkurs ka qenë më i rregullti në drejtorinë që ai e udhëheq.

“Ky konkurs ka qenë konkursi më i rregullt në drejtori. Kanë qenë gjashtë kandidatë, dhe raporti i vlerësimit të komisionit ka qenë i tillë që e ka përzgjedh me të mirën Marigona Elezi, që ka rastisur të jetë e bija e kryetarit. E përgjedhura ka fillu punën diku në muajin mars të vitit të kaluar. S’ka pas ndonjë ankesë lidhur me këtë konkurs”, ka deklaruar Sejdiu për Express.

Sejdiu ka treguar se në këtë komunë ka mungesë të mjekëve, meqenëse të gjithë janë në kurse të gjuhës gjermane për të ikur jashtë vendit. Sipas Sjediut, në këtë komunë nuk është asnjë mjek i papunë.

“Kemi shumë mungesë të stafit të mjekëve sepse të gjithë janë në kurse të gjuhës gjermane për të ikur jashtë vendit. Në Klinë nuk ka mjek të papunë”, tha ai.

Për punësimin e Marigona Elezajt në QKMF, janë deklaruar edhe nga Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, e cila është në koalicion me AAK’në në këtë qytet.

Xhafer Gashi nga VV’ja ka thënë se ata çdo ditë pranojnë ankesa rreth konkurseve në këtë komunë, por se është mirë që këtë rast ta lënë në duar të drejtësisë.

“Kam dëgju mbrëmë për këtë rast nëpër media. Është mirë që t’ua lëjmë në dorë organeve të drejtesisë këtë rast. Ne kemi ankesa të përditshme për konkurse. Nese je i nje krahu politik mund të punësohesh më lehtë”, ka thënë Gashi për Express.

Ndryshe, dje Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Elezajt, me dyshimet e kryerjes së veprës penale të konfliktit të interesit.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, duke e konfirmuar atë aktakuzë, ka thënë se ajo është ngritur lidhur me punësimin e vajzës së Elezajt në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Nëna Terezë” në Klinë.

Punësimi i vajzës së Elezajt si mjeke ka ndodhur para një vit e gjysmë, kur ai vend i punës për mjek ishte liruar pasi mjeku që ishte, kishte shkuar për specializim në Gjermani.

loading…