Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginë reagon pas arrestimit të Ismailit: Serbia s’dëshiron paqe

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka reaguar pas arrestimit të sotëm të Jetmir Ismailit – drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc. 
 

Luftiu, përmes një postimi në Facebook,  ka thënë se sot policia serbe, me urdhër të prokurorit, kanë marrë në shtëpinë e tij në Nesalcë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës Jetmir Ismailin.

“Ai për momentin është duke u mbajtur në stacionin policor në Bujanoc”, ka shkruar Lutfiu.

Më tej ai ka thënë se “sipas familjarëve, ai është marrë në stacionin policor për tu intervistuar rreth shfaqjes së një filmi të metrazhit të shkurtër, i cili është mbështetur nga Qeveria e Kosovës nëpërmjet Këshillit Kombëtar Shqiptarë e që drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc i ka dhënë leje që të bëhet promovimi i tij nesër po në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc”. 

“Ky presion dhe këto metoda ndaj shqiptarëve po dëshmojnë se Serbia nuk e dëshiron paqen dhe të ardhmen në Ballkan. Skenarët me presione të tilla ndaj institucioneve dhe ndaj shqiptarëve janë të papranueshme dhe ftojmë të gjithë faktorët kombëtarë e ndërkombëtar që të dënojnë këtë veprim të policisë serbe sidomos ndaj rasteve të tilla e sidomos ndaj rastit të sotshëm”, ka shkruar ai.

Ndaj arrestimit të Ismailit, ka reaguar Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një postimi në Twitter, Vela ka thënë se Ismaili është arrestuar për shkak se ka lejuar një shfaqje teatrale të financuar nga institucionet e Kosovës.