Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, po qëndron në Japoni, ku ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me përfaqësues të Odës Ekonomike të Tokios, me ftesë të Ken Kobayashi, President i Mitsubishi Corporation, shkruan Gazeta Projekti.

Gjatë takimit, Shehu prezantoi potencialin e Junikut dhe të Kosovës për investime, bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm. Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për bashkëpunim në sektorët e bujqësisë, turizmit, energjisë së rinovueshme, inovacionit, arsimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua të rinjve, duke u diskutuar mundësitë për trajnime profesionale, shkëmbime përvojash dhe bashkëpunim me institucione dhe industri japoneze.

Kryetari Shehu e prezantoi Junikun si një komunë të hapur ndaj partneriteteve ndërkombëtare, me potencial të madh zhvillimor dhe me synimin për të krijuar mundësi të reja për qytetarët.

Po ashtu, ai i ftoi përfaqësuesit japonezë të vizitojnë Junikun dhe Kosovën, për t’u njohur nga afër me resurset, potencialin ekonomik dhe mikpritjen e vendit.

Sipas Shehut, bashkëpunimi dhe miqësia ndërmjet komuniteteve janë faktorë kyç për krijimin e urave të reja të zhvillimit dhe partneriteteve afatgjata.