Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se të dielën, më 7 dhjetor 2025, nga ora 10:00, në restoranin “Kullat e Junikut” në Füllinsdorf të Basel-it (4414), do të mbahet ceremonia e përurimit të monografisë “Juniku me rrethinë ndër shekuj”. Vepra është realizuar nga autorët Prof. Dr. Islam Shehu dhe Zeqë Gaxherri.
Shehu ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në këtë ngjarje së bashku me bashkëpunëtorë të tij, duke e cilësuar një moment të rëndësishëm për bashkësinë junikase në Zvicër.
“Ju ftoj me shumë përzemërsi të merrni pjesë në këtë takim të ngrohtë, ku do të takohemi me bashkëatdhetarë tanë dhe do të diskutojmë së bashku për historinë e lavdishme të Junikut,” ka shkruar kryetari.
Ai ka shprehur falënderim të veçantë për afaristin junikas, Smajl Shehu, për organizimin dhe mikpritjen e këtij eventi kulturor.
Ceremonia pritet të mbledhë mërgimtarë junikas dhe dashamirë të historisë së kësaj treve, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në promovimin e trashëgimisë kulturore të Junikut.







