Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka shpërndarë sot 145 bursa për studentët e komunës, duke theksuar rëndësinë e investimit në arsim dhe rininë junikase si themel i zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit.

“Shehu tha se rinia është fuqia dhe potenciali më i madh i komunës sonë, ndërsa arsimi është çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo mbështetje nuk është vetëm një ndihmë financiare, por një besim i plotë në talentin, ëndrrat dhe mundësitë e rinisë sonë”, u shpreh ai gjatë ceremonisë së ndarjes së bursave.

Kryetari shtoi se çdo investim në arsim është një investim në zhvillimin e Junikut dhe në mirëqenien e çdo familjeje junikase. Ai theksoi se arsimi, rinia dhe zhvillimi do të mbeten shtyllat kryesore të qeverisjes komunale.

“Me punë, transparencë dhe duar të pastra, do të vazhdojmë ta transformojmë Junikun në një vend ku të rinjtë nuk largohen, por krijojnë të ardhmen e tyre këtu. Së bashku mund ta bëjmë ndryshimin që duam,” përfundoi Shehu.