Kryetari i Ferizajt pret në takim Mozzikun, reperi ia dhuron albumin e ri

Mozzik ka disa fjalë për t’i thënë pas takimit me kryetarin e Ferizajt.

Reperi Mozzik, përmes një postimi në Instagram, bëri të ditur se është pritur në takim nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Me këtë rast, artisti ia dhuroi atij albumin e tij të ri “Mozzart” dhe thotë se këtë veprim e bëri që të shërbejë si aset kulturor i një djali që e do këngën.

“Pune që njerëzit i kryejnë nuk janë të njejta. Ato dallojnë për nga rëndësia, natyra dhe përgjegjësia. Unë, si qytetar i Ferizajt me aq mundësi sa kam po vë një gur ne kalanë kulturore të ngritur të qytetit tonë. Unë këtë album, sot, me respekt të veçantë po ia dhuroj kryetarit të komunës, z.Agim Aliut. Le të shërbejë si aset kulturor i një djali që e do këngën. Me nderime, Mozzik!”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se para pak ditësh, Mozzik filloi turneun për promovimin e albumit të ri, ku kishte planifikuar të dhuronte CD për fansat në disa qytete të Kosovës.

Pasi udhëtoi në Mitrovicë, Vushtrri, Pejë dhe Deçan, policia mori vendim t’i anulohet ky aktivitet, ngase qytetarët nuk e respektonin distancën dhe masat e tjera.