Mbrëmë në Deçan ka ndodhur një përleshje ku ka qenë i përfshirë edhe kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur në një restorant dhe në të janë përfshirë disa persona, të cilët fillimisht janë fjalosur dhe më pas janë përleshur edhe fizikisht.
Bazuar në detajet e Policisë, në vendin e ngjarjes janë arrestuar dy persona të dyshuar prej të cilëve njëri është ndaluar në paraburgim për 48 orë, ndërsa personi tjetër i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt.
Ballkani.info ka kontaktuar sot me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosajn, i cili ka mohuar të ketë pasur përleshje fizike, përpos sulmeve verbale.
“Është i vërtetë lajmi për incidentin e ndodhur mbrëmë, por përpos disa shtyrjeve dhe përplasjeve verbale, nuk ka pasur ndonjë përleshje fizike. Në qendrën e Deçanit janë rrënuar disa lokale sipas planit rregullativ për zgjerimin e rrugës dhe hapësirat e gjelbrimit, gjë që ka mundur të prekë disa biznese, por nuk jam unë personi ku ata duhet të shprehin inatin. Personi i cili është përfshirë në përleshje mbrëmë, si duket ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe ka filluar të na provokojë, ku pastaj edhe jemi përfshirë në një përleshje verbale”, ka thënë Ramosaj.
Tutje, ai ka thënë se në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka qenë me disa shokë në një restaurant.
“Kur ka ndodhur rasti unë kam qenë në një restaurant me disa shokë të mi dhe bashkëluftëtarë, diku rreth 10 persona kur edhe kanë nisur provokimet nga personi në fjalë”, ka përfunduar Ramosaj për Ballkani.info.
Sipas policisë, rasti është duke u hetuar në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit për të sqaruar rrethanat dhe motivin e rastit. /Ballkani.info/







