Kryetarët e komunave veriore në pritje të betimit

Kryetarët e sapozgjedhur në katër komunat veriore, thonë se së shpejti do të mbahet mbledhja solemne e betimit të tyre. Nga komuna e Mitrovicës së Veriut dhe ajo e Zubin Potokut thonë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për seancën solemne dhe se janë në bisedime të vazhdueshme me MAPL-në.

Katër kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potoku, Zveçanit e Leposaviqit janë në pritje të ceremonisë së betimit të tyre në krye të këtyre komunave.

Edhe pas 10 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të këtyre katër komunave, ata ende nuk e kanë bërë betimin.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Uglajnin, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet për ceremoninë, por janë në pritje që kryetari i ri, Erden Atiq, të jap dorëheqje nga pozita e tij aktuale si asamblist.

Kanal10 ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i ri, Erden Atiq, por ai ka qenë i paqasshëm gjatë së hënës.

Ndërkohë, kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se është çështje ditësh se kur do të mbahet seanca për betim, derisa ka shtuar se nuk sheh rrezik për djegien e mandatit.

Ai thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, për veprimet e mëtutjeshme.

Gjithashtu, televizioni ka provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por zyrtarë të saj, nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

Ndërkohë, vonesat për betimin e kryetarëve të rinj, profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, i ka lidhur me çështjen e vendosjes së flamurit shtetëror të Kosovës në objektet e komunave.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës janë zhvilluar më 23 prill të këtij viti, pas dorëheqjeve në nëntor të vitit 2022, të kryetarëve që vijnë nga Lista Serbe.

Për shkak se këto zgjedhje ishin bojkotuar nga komuniteti serb, Bashkimi Evropian ka kërkuar djegien e mandateve të kryetarëve të rinj.