Kryespiunët e pushtetit të ri s’e deklarojnë më pasurinë e tyre, AKK s’tregon pse ua fshehu

Tre “kryespiunët” e pushtetit të ri, i cili thirrej vazhdimisht në transparencë, për herë të parë në historinë e AKI-së e kanë fshehur edhe pasurinë e tyre prej publikut. Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, zëvendësdrejtori Agron Bytyqi dhe inspektori Burim Ramadani, këtë vit kanë vendosur t’i mbajnë sekret pagat dhe pasurinë që e kanë në pronësi të tyre. Publike i kanë bërë veç të familjarëve të tyre. Megjithatë, Ajeti e Ramadani kështu nuk kishin vepruar edhe vitin e kaluar, pasi që atëherë deklarimin e pasurisë e kishin bërë ashtu siç kërkohet me ligj.

Puna që bëjnë është goxha sekrete. Madje, në popull njihen edhe si “spiunë”. E sekrete për popullin ka mbetur edhe pasuria dhe pagat e tyre.

Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, zëvendësdrejtori Agron Bytyqi dhe inspektori Burim Ramadani, formularët e pasurisë së tyre këtë vit i kanë të publikuar vetëm pjesërisht, shkruan Demokracia.com.

Kjo praktikë e jotransparencës së udhëheqësve të këtij institucioni ka filluar të zbatohet veç tani, pasi që vitin e kaluar ata e kishin publikuar çdo gjë, deri në cent.

Petrit Ajeti, që drejton Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, në deklarimin e pasurisë që është bërë publik ditë më parë ka treguar se ka një shtëpi me 300 metra katror, vlera e të cilës është 250 mijë euro, e cila është në pronësi të prindërve të tij.

Para në bankë, bashkëshortja dhe prindërit e tij, ka thënë që s’kanë asnjë. Por, Ajeti ka edhe një kredi në vlerë prej 10 mijë euro, për katër vite.

Të hyrat e vetme që i ka deklaruar janë 300 euro të bashkëshortes dhe dy pensione të prindërve në vlerë prej 650 eurosh.

Linku i deklarimit për vitin 2022 për tre zyrtarët e lartë të AKI-së 

Edhe për këto të hyra e ka dhënë një sqarim, duke treguar se tash për tash bashkëshorten e ka të papunë.

“Bashkëshortja ka qenë e punësuar me kontratë me afat kohor të kufizuar, dhe i ka skaduar kontrata. Nga data 31.12.2021, ajo është e papunë dhe nuk gjeneron të ardhura personale”, ka sqaruar ai.

Ky deklarim i tij i pasurisë ka goxha ndryshime nga ai i vitit 2021.

Megjithatë, ngjashmëri ka tek banesa dhe tek të hyrat e prindërve, shkruan Demokracia.com.

Në vitin e kaluar, Ajeti kishte treguar se në bankë kishte afro 4 mijë euro dhe një veturë po me këtë vlerë.

Si të hyra mujore, ai kishte thënë se ka 1 mijë e 132 euro. Kurse, për bashkëshorten kishte deklaruar një pagë prej 300 euro.

Ai kishte treguar se paga e tij nuk ishte nga AKI-ja, por nga Ministria e Mbrojtjes.

Edhe zëvendësdrejtori i AKI-së, Agron Bytyqi, ka vepruar ngjashëm. Në deklarimin e pasurisë së tij shumë rubrika kanë mbetur bosh.

Ai ka treguar vetëm se ka një banesë prej 80 metrave katror në vlerë të 33 mijë eurove, të blerë gjatë vitit 2015/2018.

Po ashtu, Bytyqi ka treguar se ka edhe një veturë “Opel Corsa” në vlerë të 3 mijë e 100 eurove.

Linku i deklarimit në vitin 2021 për tre zyrtarët më të lartë të AKI-së 

Kurse, për bashkëshorten me të cilën duket se nuk ka kurorëzim ka treguar se ka një pagë prej 300 eurove si avokate dhe se në bankë ka mbi 2 mijë euro.

Për dallim të Bytyqit, deklarimin e plotë të pasurisë në vitin 2021 e kishte bërë zëvendësdrejtoresha e atëhershme e AKI-së, Vlora Hyseni.

Ajo kishte deklaruar se për punën në AKI ka marrë pagë mujore nga shteti në vlerë prej 2 mijë e 943 euro.

Kurse, Burim Ramadani, inspektor në AKI, ka treguar në deklarimin e pasurisë së vitit të kaluar se ka një banesë prej 79 metra katror, vlera e të cilës është 80 mijë euro.

Ramadani ka thënë se brenda vitit ka të hyra prej 36 mijë eurove, si paga nga buxheti i shtetit.

Kurse, si pasuri të prindërve kishte deklaruar se ka shtëpi, troje dhe tokë malore, vlera e të cilave kap shumën e mbi 200 mijë eurove.

Ramadani kishte deklaruar edhe një veturë të blerë në vitin 2020, që kishte vlerën e mbi 22 mijë eurove. Kurse, bashkëshortja e tij ka një veturë në vlerë të 7 mijë eurove. Ramadani kishte treguar se bashkëshortja e tij ka aksione në “DAME Creative”, kompani vetëpunësimi për prodhimin e kartolinave me punë dore dhe organizim të eventeve.

Ai kishte treguar se i posedonte 22 mijë e 249 euro para në bankë.

Burim Ramadani edhe në deklarimin e pasurisë për këtë vit i ka përsëritur të gjitha pasuritë që i ka deklaruar vite me parë, tek banesa, pasuria e prindërve dhe bashkëshortja. Por, nuk ka treguar se para i ka në bankë dhe sa i ka ndryshuar pasuria për një vit.

Gjithashtu edhe tek rubrika e të hyrave, ai ka treguar vetëm të hyrat që ka bashkëshortja e tij.

Sipas deklarimit, ajo ka të hyra mbi 5 mijë euro nga “vetëpunësimi në kompaninë e organizimeve të  eventeve “DAME Creative”.

Demokracia.com ka kërkuar një sqarim nga Agjencia Kundër Korrupsionit lidhur me mosdeklarimin e pasurisë dhe pagave nga drejtuesit e AKI-së, siç kërkohet me ligj për zyrtarët e lartë publikë, por përkundër që kishin premtuar se deri në fund të orarit të sotëm do të kthejnë përgjigje, ky institucion nuk ka dhënë sqarime dhe ka zgjedhur heshtjen.

Deri në këtë vit, drejtori i AKI-së, zëvendësdrejtori dhe kryeinspektori i AKI-së i kanë pasur gjithmonë publike të ardhurat dhe pasurinë e tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.