Kryeshefit i skadon mandati, a do të bllokohet sërish KQZ-ja?

Para disa ditëve Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dekretoi tetë anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Dhe për ta marrë këtë vendim presidentit Hashim Thaçi iu deshën më shumë së 1 vit kohë.

Komisioni Qendror Zgjedhor nga nesër, 2 prilli, do të mbesë pa Kryeshefin administrativ, Enis Halimi, pasi këtij të fundit i përfundon kontrata me KQZ-në.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se Kryeshefit të Administratës nuk i është bërë vlerësimi për punën e tij për shkak se KQZ-ja mbeti e bllokuar për mos emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për më shumë se një vit.

“Kryeshefit ndoshta kishte mundur të i vazhdohet kontrata, por si të ndodhë kjo kur nuk ka vlerësim për punën e tij”, ka pohuar burimi.

Ndërkaq përfundimin e mandatit të Enis Halimit nuk e sheh problem anëtari i sapodekretuar në KQZ nga radhët LDK-së, Florian Dushi.

Ai për Ballkani.info tha se nuk është hera e parë që KQZ-ja mund të funksionojë edhe me ushtrues detyre të kryeshefit administrativ.

“Ne ende nuk e dimë pozicionin e tij, por mund edhe të caktohet dikush tjetër përkohësisht në vendin e Halimit”, theksoi Dushi.

Rikujtojmë se KQZ-ja përbëhet prej 11 anëtarëve, ndërkaq staf administrativ gjithsej janë 30 persona që deri më tani janë udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Administratës, Enis Halimi, e të cilët të martën i skadon kontrata. /Ballkani.info/