Kryeshefi i Ujësjellësit tregon si është gjendja e nivelit të ujit pas reshjeve të shiut

Gjatë javës së fundit vendi jonë është përballur me mot kryesisht të vranët dhe reshje të shiut.

Këto reshje kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të ujit në liqenet akumuluese të ujit të pijshëm në Kosovë.

Ballkani.info ka kontaktuar me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’, Ilir Abdullahun, për të mësuar se si është gjendja në këto dy liqene.

Abdullahu ka theksuar se pas ditëve me temperatura të larta, reshjet e fundit të shiut kanë ndikuar deri në një masë në ngritjen e nivelit të ujit, por ka thënë se duhet pasur kujdes në konsumin e panevojshëm.

“Reshjet e fundit kanë ndikuar në ngritjen e nivelit të ujit në dy liqenet akumuluese të ujit të pijshëm në Kosovë. Në Liqenin e Badovcit, niveli i ujit është ngritur për 30 centimetra, ndërsa në Liqenin e Batllavës vetëm për 5 centimetra. Kjo ka ndodhur pasi që në pellgun e akumulacionit të Batllavës, reshjet kanë qenë me intensitet më të ulët, por pasi që temperaturat nuk janë edhe aq të larta dhe ka reshje kohë pas kohë, mundësohet edhe furnizimi stabil me ujë”, ka thënë Abdullahu.

Në fund, Abdullahu ka bërë thirrje edhe njëherë tek qytetarët që të kursejnë ujin e pijshëm në maksimum dhe të kenë kujdes me shfrytëzimin. /Ballkani.info

loading…