“Familjarët janë për dasma e jo për punësim”, ishte fjalia e famshme e tash kryeministrit, Albin Kurti, sa ishte në fushatë zgjedhore duke garuar për të marrë pushtetin për një mandat të ri. Video me këtë thënie e shkëputur nga fushata e Kurtit shumë shpejt u bë virale. Mirëpo mjaftoi të vinte në pushtet që kjo të ndryshonte për qeverinë Kurti, teksa rehatoi familjarë të anëtarëve të VV-së.
Një prej tyre ishte edhe Evetar Zeqiri, i cili më 10 gusht 2022 përmes një konkursi publik, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT), shpalli të hapur pozitën për kryeshef ekzekutiv të këtij institucioni, post ky që e mori Evetar Zeqiri, i cili është vëllai i bashkëshortes së Mentor Hysenit, ish-kandidatit për deputet e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa sot, më 24 prill 2025, ai u shkarkua pas skandaleve që i shpërfaqi gazetari Lirim Mehmetaj.
Mehmetaj raportoi për një kompani fantome për tregtim të energjisë eletrike – kompani kjo që përbrenda 3 vitesh u ngrit në top pesëshen e kompanive me fitimet më të mëdha në vend.
Zeqiri u shkarkua në mbledhjen e sotme të bordit të drejtorëve, me anëtarë Gëzim Tosuni, Rejhane Zylfijaj, Lumnije Aliu, Sead Mujovi.
Ish-anëtarët e bordit të këtij institucioni tashmë kanë dërguar dosje në prokurori për dyshime për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga i njëjti./Ballkani.info/







