Ilir Shala, Kryeshef Ekzekutiv i Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës i njohur si KOST ka shkruar se kurrë nuk dorëzohet prej asnjë presioni, shantazhi e kërcënimi.

Mirëpo, ai s’ka sqaruar se kush e ka kërcënuar, shantazhuar.

“Kurre nuk dorezohem, para asnje sfide, problemi, presioni, shantazhi e kercenimi, per te miren e KOSTT-it dhe Republikes se Kosoves”, ka shkruar Shala, në një reagim në Fb.

Shala ka pasur presion nga grupe politike dhe ish-struktura të pushtetit për ta larguar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KOST. Madje, i njëjti ka alarmuar disa ambasada në Kosovë për kërcënimet që ka marrë.

Ilir Shala ishte votuar për Kryeshef Ekzekutiv të KOST-it më 1 mars të vitit të kaluar.

Para se të bëhej udhëheqës i KOST-it, Shala, në periudhën 2003-2006, ka mbajtur pozitën e drejtorit të Departamentit për Projekte dhe Investime në Divizionin e Transmisionit dhe Dispeçingut në KEK, pozitë me të cilën ka vazhduar edhe në KOSTT, që nga themelimi në vitin 2006. Nga muaji qershor i vitit 2017 deri kur është emëruar Kryeshef i KOST-it, ka mbajtur pozitën e zv.Kryeshefit Ekzekutiv për Zhvillim në KOSTT.

KOSTT sh.a është Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës, kompani publike me 100 % të aksioneve shtetërore.

Sipas Ligjit për energjinë elektrike nr.05/L-085 të miratuar në vitin 2016, të drejtat e aksionarit ushtrohen përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës.

KOSTT sh.a funksionon në bazë të dy licencave të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Sipas Licencës për Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Licencës për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike, KOSTT është përgjegjës për: planifikimin, operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e Sistemit të Transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë.

KOSTT menaxhon Sistemin e Transmisionit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Sistemit të transmisionit i përkasin edhe transformatorët e ndërlidhur me rrjetin e shpërndarjes: 220/ 35/10 kV dhe 110/35/10(20) kV.

Përgjegjësi e KOSTT është që në mënyrë të sigurt dhe të besueshme të transmetojë energjinë elektrike nga njësitë e gjenerimit deri te sistemi i shpërndarjes, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Aktualisht, rrjeti i transmisionit të Kosovës lidhet me shtetet fqinje përmes shtatë linjave ndërkufitare. Në dhjetor 2015 ka përfunduar edhe ndërtimi i linjës së tetë ndërkufitare e cila pritet të hyjë në operim.

loading…