Kryeminstri Kurti për ndarjen e shtesave: Po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar sot ndarjen e shtesave dhe mbështetjen për lehonat e fëmijët.

Kurti përmes një postimi në ‘Facebook’ ka treguar se Qeveria po e fuqizon rolin e gruas në shoqëri dhe po përkujdeset për mirëqenien e tyre.

Më poshtë postimi i tij:

Fillon mbështetja për lehonat dhe ndarja e shtesave për fëmijë

Me ministrin e Financave, Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hekuran Murati, prezantuam sot fillimin e zbatimit të masës 3.5 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, pra pagesat për lehonat dhe shtesat për fëmijë.

Nga nesër (e shtunë) nënat e reja mbi 18 vjeç, të cilat kanë lindur foshnjën nga data 1 gusht 2021 e këtej, mund të aplikojnë për mbështetje duke plotësuar formularin për aplikim në platformën elektronike “eKosova” me të dhënat personale të aplikueses, numrin e llogarisë bankare dhe numrin personal të foshnjës. Njëlloj realizohet edhe aplikimi për shtesat për fëmijë.

Sipas masës 3.5, lehonat e papuna në 12 muajt e fundit do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 6 muaj, ndërsa ato të punësuara do të përfitojnë mbështetje financiare 170 Euro për 3 muaj, krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.

Këtë muaj fillon edhe shpërndarja e shtesave për fëmijë që do të përfshijnë fëmijët e lindur në vitin 2020 dhe 2021 me nga 20 euro në muaj. Gradualisht, me fillim nga janari i vitit 2022 do të shtohen grupmosha të tjera deri në moshën 16 vjeçare, për të cilat vlera e shtesës është 10 euro në muaj.
Përveçse premtim zgjedhor e qëllim programor, përkrahja për gratë dhe fëmijët është vlerë dhe botëkuptim i Qeverisë sonë. Pa u bërë ende gjashtë muaj në qeverisje, filluam mbështetjen financiare për ta.

Kësisoj, po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri. Po kujdesemi për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare, në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e sapolindur.