Brexit

Kryeministrja May do ta dërgojë marrëveshjen në kuvend në mes të janarit

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, ka deklaruar se do ta dërgojë për votim marrëveshjen për tërheqje të vendit nga Bashkimi Evropian në javën e dytë të janarit, duke premtuar se do të marrë garanci nga BE-ja për ta thyer bllokadën e këtij procesi.

Pasi Partia Laburiste kërcënoi se do ta organizojë një mocion mosbesimi nëse qeveria nuk ofron datë për votim të marrëveshjes, kryeministrja njoftoi se kuvendi do të debatojë për marrëveshjen para se të hidhet në votim në javën e dytë të janarit.

Kryeministrja po mundohet që ta miratojë marrëveshjen për tërheqje nga BE-ja dhe po e refuzon mundësinë për një referendum të dytë. Pas një jave me plot paqartësi, gjatë së cilës i mbijetoi edhe një mocioni të mosbesimit nga partia e vet, ajo tha se zgjedhja e saj është marrëveshja paraprake, duke lënë si mundësi votimin e marrëveshjes, ndarjen pa marrëveshje ose qëndrimin e vendit në BE.

“Unë e di se kjo nuk është marrëveshje e përkryer për të gjithë. Është një kompromis. Sidoqoftë, nëse e lejojmë të përkryerën që të bëhet armike e së mirës, ne po rrezikojmë që të ndahemi nga BE-ja pa marrëveshje”, tha ajo para deputetëve. Sipas saj, Bashkimi Evropian ka ofruar sqarime shtesë për pjesët më kundërthënëse të marrëveshjes dhe se qeveria e saj ka arritur të sigurojë garanci shtesë për disa çështje politike dhe ligjore, shkruan “Reuters”